Author:Martin Camaj

Indeksi i autorëve me M Martin Camaj
(1925-1992)

Jeta dhe veprimtari edit

Martin Camaj lindi në Temal të Dukagjinit më 21 korrik 1925. Ai mori edukatë klasike në Kolegjin Ksaverian të Shkodrës, të drejtuar nga etërit jezuitë. Mbas pak kohësh, për shkak të vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, Camaj do të arratiset nga vendi për në Jugosllavi, ku ia del të regjistrohet si student në Universitetin e Beogradit. Atje mësoi italianistikë, romanistikë, teori letërsie, gjuhë klasike dhe sllavistikë, një botë e re kjo për një intelektual si ai, të edukuar në Shkodër. Largohet nga Jugosllavia në verën e vitit 1956. Shkon në Romë, ku studion sërish dhe doktorohet. Në Romë ndjek rrethet letrare të këtij qyteti, ku njihet edhe me autorët emigrantë nga vende të ndryshme lindore, rusë, rumunë dhe sidomos me poetë balltikë. Ishin të gjithë anëtarë të një PEN-klubi me qendër në Londër. Atje nën kujdesin e Koliqit bëhet kryeredaktor i revistës "Shejzat" (1957-1975) dhe studion së afërmi botën arbëreshe Më 1961 transferohet në Mynih (Gjermani), ku specializohet përfundimisht në gjuhësinë shqipe, duke mos u shkëputur nga letërsia. Camaj u bë profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqiptare në Universitetin e Mynihut dhe mbeti atje gjithë jetën, deri sa vdiq, më 1992. Kontakti me kulturat e ndryshme perëndimore, njohja e poezisë moderne të poetëve më të njohur botërorë (Camaj ishte njohës i shumë gjuhëve të huaja), ndikuan në formimin e tij kulturor, ndërsa vepra e tij, qoftë në prozë apo në poezi mbështetet tërësisht në gjuhën shqipe dhe si përmbajtje i ka rrënjët në kulturën shqiptare, sidomos në mitin e trashëguar. "Prandaj nuk është e rastit që Camaj zgjodhi për të banuar një vend të shkëlqyer, me atmosferë disi të paqme e të virgjër shtëpijake, si alpet e Bavarisë, që çdo çast i kujtonin malet e thepisura të vendlindjes, ku nuk mund të kthehej kurrë", shkruan studjuesi i njohur Robert Elsie. Martin Camajt si studiues dhe shkrimtar zë një vend të shquar në kulturën kombëtare shqiptare. Ndonëse ai jetoi larg lexuesit të tij natyral dhe i munguan efektet e recepsionit, prapëseprapë letërsia e Camajt e përmban mjaft të gjallë bashkëbisedimin me lexuesin e tij shqiptar. Siç është shprehur edhe vetë, ai ka qenë i dashuruar me gjuhën shqipe dhe i shfrytëzoi në maksimum mundësitë e saj shprehëse.

Proza e Martin Camaj edit

artin Camaj e nisi prozën, ashtu siç thotë shkrimtari i madh francez Flober "në moshën e prozatorit", pra në prag të dyzetave. Djella, tregim në prozë e në vjershë, Romë 1958, është përpjekja e tij e parë, që do të pasohet me veprat: Rrathë, roman, Mynih 1978; Shkundullima, proza, Mynih 1981; Karpa, Romë 1987. Romani Karpa e vendos subjektin në brigjet e lumit Drin në vitin 2338, ndoshta për këtë autori ka parapëlqyer ta quajë "Parabolë". Ky roman si dhe vëllimi me proza "Shkundullima" shquhet për një kërkim strukturor në rrënjët e zanafillave, jo vetëm si përsiatje e vazhdueshme, por edhe si gjuhë, në të gjitha dimensionet e saj. Pesë novelat e vëllimit "Shkundullima" janë zgjedhur prej shumë shkrimesh, sipas disa cilësish të përbashkëta, por ato kanë dhe ndryshime. Këto proza paraqesin dy mjedise: i pari lidhet me atmosferën në disa vise të Shqipërisë së Veriut, ku thellësia e bjeshkëve ndahet nga qafa malesh prej fushave të gjera. Ndërsa në tregimet "Shkundullima" dhe "Katundi me gjuhë të fshehtë" pasqyrohen brigjet bregdetare të Italisë së Jugut, treva ku jetojnë arbëreshët e lashtë. Edhe "Gjon Gazulli" anon nga ky mjedis. Ngjyra të përbashkëta janë kataklizmat natyrore, si shkundullima(tërmeti), apo rrëzumja e borës(orteku), që trandin një vend, ashtu si edhe vdekja ose prania e saj: mbarë këto dukuri i ndërrojnë faqe dheut e shoqërisë. Nga veprat e tjera letrare të Camajt me interes të veçantë janë "Loja mbasdrekës" dramë Mynih, 1981; "Kandili argjandit", dramë, Kozencë 1983; Dranja, madngale, Mynih 1991.

Poezia e Martin Camaj edit

Martin Camaj është poet lirik me forma e përmbajtje moderne, me faza të ndryshme të krijimtarisë poetike dhe kjo nga shkaku, sepse ka kaluar nëpër kultura të ndryshme. Gjatë qëndrimit në Jugosllavi e Kosovë do të botojë njëri pas tjetrit dy vëllimet e para me poezi "Një fyell ndër male", Prishtinë 1953 dhe "Kanga e vërrinit" Prishtinë 1954. Në Itali vëllimin Legjenda, Romë 1964 dhe në Gjermani librat e fundit poetikë "Lirika mes dy moteve", Mynih 1967, "Njeriu më vete e me të tjerë", Mynih 1978, "Poezi 1953-1967", Mynih 1981. Dy vëllimet e para të Camajt të botuara në Prishtinë frymëzoheshin nga motivet e vendlindjes dhe ishin në frymën e së ashtuquajturës "Shkollë letrare e Shkodrës", pjesë e së cilës u bë dhe ai. Në përmbledhjet "Legjenda dhe lirika mes dy moteve" Camaj dëshmon me të gjitha mjetet stilistike e estetike të gjendurit nën ndikimin e poezisë hermetike. Ky ndikim lidhej me kohën studentore në Romë, kur Camaj kishte profesor poetin e madh hermetik Xhuzepe Ungareti. I ndjeshëm tej mase ndaj motiveve të vendlindjes e fëmijërisë ai në gjithë poezinë e tij përpiqet të universalizojë elementet thellësisht shqiptare, si peisazh, mitologji, mentalitet e karakter. Pjesa më e rëndësishme e poezive të Camajt i është bërë e njohur edhe lexuesit të huaj me anë të botimeve "Poesie", Palermo 1985; Selected poetry, Nju Jork 1990; Palimpset, Nju Jork 1991; Gedichte, Mynih 1991. Jo vetëm po të nisemi nga vendet e botimit, por mbi të gjitha nga mënyrat e ligjërimit poetik, stilit dhe frymës, mund të vihen re qartazi tri faza të krijimtarisë poetike veçanërisht e letrare përgjithësisht të Martin Camajt:

  • Faza kosovare (ose klasike)
  • Faza italiane (ose paramoderne)
  • Faza gjermane (ose moderne)

Të tria këto faza kanë lënë shenja të qarta në krijimtarinë e tij: Në fazën e parë ndihet mbështetja e fuqishme në mjetet shprehëse tradicionale e folklorike. "Mali e vërrini" përbëjnë botën rreth të cilës sillet e rreh nervi poetik. Në fazën e dytë kemi pasurimin e elementeve shprehëse me struktura më të komplikuara gjuhësore, duke mos iu larguar kurrësesi tharmit të motiveve vendase. Në fazën e tretë motivi vendas mitizohet, "thahet" e shndërrohet në një substancë me esencë të fortë. Nga njëra tek tjetra arti i tij bëhet përherë e më formal larg strukturave tredicionale e ideve të ditës dhe synon të bëhet universal.

Veprat edit

Poezi edit

Analiza edit

Fragmente edit

Shih eshe edit