Kushtetuta e Shqipërisë/Pjesa e trembëdhjetë

Pjesa e dymbëdhjetë Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë
Pjesa e trembëdhjetë (Financat Publike)
nga Komisioni Kushtetues i Republikës së Shqipërisë
Pjesa e katërmbëdhjetë



Neni 155 edit

  1. Taksat, tatimet dhe detyrimet financiare kombëtare e vendore, lehtësimi ose përjashtimi prej tyre i kategorive të caktuara të paguesve, si dhe mënyra e mbledhjes së tyre caktohen me ligj. Në këto raste ligjit nuk mund t’i jepet fuqi prapavepruese.

Neni 156 edit

  1. Shteti mund të marrë e të garantojë hua dhe kredi financiare, kur autorizohet me ligj.

Neni 157 edit

  1. Sistemi buxhetor përbëhet nga buxheti i shtetit dhe nga buxhetet vendore.
  2. Buxheti i shtetit krijohet nga të ardhurat e mbledhura prej taksave, tatimeve dhe detyrimeve të tjera financiare, si dhe nga të ardhura të tjera të ligjshme. Ai përfshin të gjitha shpenzimet e shtetit.
  3. Organet vendore caktojnë dhe mbledhin taksa dhe detyrime të tjera siç përcaktohet me ligj.
  4. Organet e pushtetit qendror dhe atij vendor janë të detyruara t’i bëjnë publike të ardhurat dhe shpenzimet.

Neni 158 edit

  1. Kryeministri, në emër të Këshillit të Ministrave, i paraqet Kuvendit projektligjin për buxhetin e shtetit gjatë sesionit të vjeshtës, i cili nuk mund të mbyllet pa e miratuar atë.
  2. Në qoftë se projektligji nuk arrin të miratohet deri në fillim të vitit të ardhshëm financiar, Këshilli i Ministrave zbaton çdo muaj një të dymbëdhjetën e buxhetit të vitit paraardhës, derisa të miratohet buxheti i ri.
  3. Kuvendi miraton buxhetin e ri brenda 3 muajve nga dita e mbarimit të vitit të kaluar financiar, përveçse në rastet e vendosjes së masave të jashtëzakonshme.
  4. Këshilli i Ministrave është i detyruar t’i paraqesë raport Kuvendit lidhur me zbatimin e buxhetit dhe me borxhin shtetëror për vitin e kaluar.
  5. Kuvendi vendos përfundimisht pasi dëgjon edhe raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Neni 159 edit

  1. Parimet dhe procedurat për hartimin e projektbuxhetit, si dhe për zbatimin e buxhetit përcaktohen me ligj.

Neni 160 edit

  1. Gjatë vitit financiar Kuvendi mund të bëjë ndryshime në buxhet.
  2. Ndryshimet në buxhet bëhen sipas procedurës së parashikuar për hartimin dhe miratimin e vetë buxhetit.
  3. Shpenzimet e parashikuara me ligje të tjera nuk mund të ulen sa kohë që këto ligje janë në fuqi.

Neni 161 edit

  1. Banka Qendrore e shtetit është Banka e Shqipërisë. Ajo ka të drejtën ekskluzive të nxjerrjes e të qarkullimit të monedhës shqiptare, të zbatimit të pavarur të politikës monetare dhe të mbajtjes e të administrimit të rezervave valutore të Republikës së Shqipërisë.
  2. Banka e Shqipërisë drejtohet nga një këshill, i cili kryesohet nga Guvernatori. Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje.