Besojmë
nga Naim Frashëri



Besojmë Zotnë q' ësht' i vërtetë,
Se gjithë ç' shohëm ësht' ay vetë,
Dhe falëtore kemi njerinë,
Atje e gjejmë dhe Perëndinë.
Ëngjëllë thuhetë vetij' e mirë,
Dhe djalli është pun' e pështirë.
Njeriu s' vdes' po vetëm ndërrohet,
Dhe shpirt i ndyrë kurrë s' gëzohet.
Njerin' e bëri Zoti të lirë,
Po duhet kurdo të bënjë mirë,
Dhe i dha mëndjen që të peshonjë,
Dhe të paudhat t' i largësojnë.
Të mos përflasë, të mos qërtonjë,
Të jet' i urtë, me nder të rronjë,
Shpirti na thotë të bëjmë mirë,
E të mos kemi kurrë dëshirë,
Për të këqia kurrë në jetë,
Të jemi t' urtë e të vërtetë.
Fort lark të jemi nga marrëzija,
E të mos rrojmë si bagëtija.
Falje ne kemi vëllazërinë
Dhe dashurinë e njerëzinë,
Se udh' e drejtë e Perëndisë,
Nuk' është tjatrë, veç njerëzisë.
Po të nderojë njeriu njerinë,
E ka nderuar dhe Perëndinë.
Në zëmrët tënë e gjëjmë Zonë,
Shtëpi e tij është zëmra jonë.
Të dil në shesh desh Zot' i vërtetë,
Bëri njerinë dhe atje është vetë.
Një njeri që njeh vethen e tija,

E di se ç'është Perëndija