Binak Alia ndan një gjyq në Gash

BINAK ALIA NDAN NJË GJYQ NË GASH
nga Binak Alia


BINAK ALIA NDAN NJË GJYQ NË GASH

Njërit nga krahina e Gashit i shkuan disa miq. Meqë nuk kishte bukë, i zoti i shtëpisë dërgoi gruan te fqinji për të marrë hua. Gruaja shkoi, por nuk u kthye. I shoqi shkoi te fqinji dhe kur pyeti për gruan, i thanë se nuk e kishin parë. Si përcolli miqtë, i shoqi pyeti gjithë fshatin për gruan, por asnjëri nuk dinte gjë për të. Pas tri ditësh, gruaja erdhi në shtëpi.

- Ku ishe? - e pyeti i shoqi.

- Te fqinji, - ia ktheu e shoqja, - dhe më ka përdorur si ka dashtë.

Të nesërmen i shoqi i vrau djalin fqinjit. Ngjarjen e mori vesh fshati dhe dy familjet u ngujuan brenda në kulla. Për të ndarë këtë gjyq, thirrën Binak Alinë nga Dragobia. Binaku i tha fqinjit:

- Në qoftë se kërkon gjakun e djalit, duhet t'i çosh hasmit tri ditë gruan tënde.

- Atë punë nuk mund ta bëj, - tha fqinji.

- Atëherë ai që të vrau djalin nuk të ka asnjë borxh, sepse nderi i gruas me vrasjen e djalit shkojnë një për një, - tha Binaku.