Dranja (analiza)
nga Martin Camaj



"Dranja" u fillua së shkruari rreth vitit 1975 dhe mbaroi më 1979. Është vetë fati i poetit i ngjashëm me fatin e Dranjës, breshkës së mitizuar në madrigalet e tij, perëndeshës së kujtimit të dalë nga Dheu: Po e kapi dikush si për lojë ta marrë me vete ndër dhena tjera, aio mbaron me të tana! Për Dranjen buzëhollë, lëpusha e laknës së huej nuk e ka shijen e duhun e njimsinë e avullit, i cili si me qenë pëlhurë, i mveshet bimësisë buzë Drinit në mëngjes. Larg këtij vendi edhe shpirtin e jep e s'prek gja me gojë". Breshkë, rruzull më vete "s'prek gja me gojë" dhe "shpirtin e jep", më vërtetësisht se në metaforë, ashtu si njeriu dhe shpirti i tij, që kur s'ka ç'të prekë me gojë mbahet me ngjizje: kur kujtoi këtë jerm nuk lyp shpjegim të një andrre, por me jepet me rrëmue mbi sende e frymorë të mbrumë me tharmin e gjakut tim. "Dranja" ndonëse nuk është në vargje si madrigali tradicional, në përmbajtje i përket kësaj gjinie dhe si e tillë i kundërvihet trajtave të tjera letrare, të përdorura deri më sot në gjuhën shqipe. Në lexim e sipër, mundësisht të ngadalshëm, duhet patur parasysh se trajta e jashtme, historia e një breshke dhe e rrashtës së saj, lidhen me nënkuptime simbolike, me fjalë të tjera me zbërthimin e përmbajtjes së brendshme apo "teoremës". Me rëndësi për autorin është fjala e bukur poetike, ku bëhen përpjekje që gjuha t'i përshtatet lakueshëm çdo situate. "Dranja" është një formë e re letrare për kulturën e shkruar shqiptare. Duke qenë thellësisht vepër simboliste, madrigalet mund të jetojnë edhe si copa më vete.