Dranja (fragment)

Dranja (fragment)
nga Martin Camaj



Ata që presin barin me drapinj dhe kosa të shkurtra, posare për livadhe me gur në bjeshkën e Cukalit, janë njerëz të heshtun dhe vetëm në dukje të qetë: dhimba u bren kocat natën e i kap si pika në mëngjes në muskuj e gjymtyrë kur sjellin së pari rreptas hekurin në bar. Në parzmin e leshtë u fshehet frika e gjarpnit që pret tue njehë në ritëm afrimin e krismës së drapnit në tërfojë. Mbledhësit e barit flejnë në vapën e ditës mbështetë për trungun e ahut nën hije e shohin andrra syçelë. Ma i riu i zgjoi njëherë e u tregoi atë që kishte gjetë, diçka të gdhendun, gungë e madhe ngjyrë ashti, rrashtën e breshkës e mbi atë gjarpnin dredha-dredha, gjithçka të bamun gurë! Mirë - thanë ata - na e dimë qëmoti se nëma e Orëve ndërron në shkamb çdo gja, edhe bariun me tufë përpara, po puna ashtë: si erdhi breshka deri këtu, kaq nalt? Njeni sish shpjegoi me buzë në gaz: "Unë kam helm në gjak pse gjarpni më zuni tri herë, andaj unë di në këtë mes pakëz ma tepër se ju. Breshka - tha ai - e pruni deri këtu në shpinë gjarpnin. Shikoni, si janë të ngrimë më një si të mos ishin dy frymorë! Si pela ime, Drania, e unë mbi të kaluer." Mandej folësi mori briskun e me maje ia shkoqi gjarpnin breshkës nga rrashta mbi të cilën mbeti gërresa dredha-dredha, si ravë që përshkon gjysmën e globit. Dranja, e quejtën njazani ata breshkën në gurë, pa gjarpën... Ndonëse breshkë, Dranja ashtë vrejtuese e vëmendshme kur ndodh se e sheh njerëz apo shtazë si përtypen tue ngranë. Dhisë i lakmon ma së forti si ajo me buzë e dhambë të mprehtë përpin palën e gjethit sa çel e mbyll synin breshka. Kjo, një fletë të vetme sallate, e përçap me orë derisa t'i lëshojë një pikë lang në gojë. Poetit që e vëren Dranjen po në këtë timtë s'i shkon mendja te punët e saj të brendshme: në vetmi ai përtyp në tru si breshka na qenka kosmopolite e mirëfilltë vetëm sepse kupa e rrashtës së saj i përngjet gjysmës së rruzullit me njolla dhenash të çdo ngjyre, si racat e ndryshme në të. Por ai ashtë edhe i zoti ta ndreqë rëmimin e vet, kur ndalet dhe e vëren Dranjen nënçmueshëm e thotë: Dam, që askush s'e ditka se një rruzull i tillë na paska po në thelb një zemër breshke! Vjeshta po kalon ndërrueshëm me vapë e fortunë, dridhje shtërpie lara-lara nëpër dushk. Thonë: kohën që vjen askush të mos presë një ditë të mirë. Si kështu! Kaq pabesim në jetë? E njëmend erdhi moti krejt i mirë, lak i gjatë pa nyja. Dranjes iu sqarue drita e synit si me dashë me pa si asnjë breshkë ndojherë kreshtat e maleve larg-larg mbulue me borë të bardhë: vetëm prei atij vezullimi u ndez dheu e uji mori flakë. Jo, nuk ishin vargmale ato, po fletëza arnejsh në vërvitje në skajin e pyllit, një flakim peshe larg dhe përpara turra kajzish të vegjël barnash të thata. Vjeshta po kalonte, por gredhi me za të burrnueshëm si kurrë kërkoi ndër lisa e gjeti ç'ka lypte: pemë të çame përgjysmë me erën e athët në lang. Një lloi bretkose, thithlopa e ngime, i merr amë në hapësi qumështit që shkumbon në vedër mes gjujve të mjeltores, gërmuq në shkam, ende të pashtitëruem mirë për këtë zeje. Edhe pse tepër ngjyra në këtë vend, koha përputhet për kohë përkueshëm, pa u vra aspak sendi për send.