Ekstaza Pranverore

Ekstaza Pranverore
by Migjeni
291964Ekstaza PranveroreMigjeni

...dhe pranvera erdhi...
Nëpër ftyra tona rrëshqiti nji gëzim
dhe ndër zemra tona ngrehi një folë,
e njëjetë e bukur, e një jetë e rë,
me dëshira të shumta po buzqesh në lulzim.
...dhe dallndysha erdhi...
si shpirti n'ekstazë, në hovin e shejt shtri;
me qiellën rroket, me diellin puthet,
dridhen krahët në hare - mandej poshtë vërsulet
t'u dhurue në cicrim përshndetje një mijë.
...triumfon bylbyli...
kangëtar plot magji në gemb të trandafiles,
në një tempo të marrë përkdheljet po shfre
e kanga kumbuese, kang' e tij pa fre,
asht si kangë Orfeji ndër telat e lyrës.
...dhe vesa shkëlqen...
në një pikë t'argjant pasqyrohet jeta
tërheqse si andrra dhe si vijzatimi
ndër orët e hyjzimit, kur shpërthen agimi
e rrezet e arta rrëshqasin ndër fleta.
... dhe pranvera erdhi...
Nëpër ftyra tona rrëshqiti një gëzim
dhe ndër zemra tona ngrehi një fole
e një jetë e bukur, e një jetë e re
me dëshira të shumta po buzqesh në lulzim.


Public domain
This work is in the public domain in countries where the copyright term is the author's life plus 70 years or less. See Copyright.