Emri i Zotit
by Naim Frashëri
320678Emri i ZotitNaim Frashëri

Zot i vërtetë,
Bota e tërë
Gjithë ç'ke bërë
E ç'ka në jetë
Të gjitha ç'janë
Yje dhe diej,
E dhé e qiej,
Një gjuhë kanë,
Që thotë emrin tënt!

Ngado që shikonj,
Atë emër dëgjonj.
E shoh më ç'do vënt.
Dheu, që rrimë ne,
Duke mbleruar,
E kam dëgjuar,
Që thotë se ç'je.
Yjtë me dritë,
Duke kërcyer,
E duke kthyer,
Nat' edhe ditë,
Re me gjëmim
Zoqtë me fjalë,
Deti me valë,
Lumi me rrëmbim
Lulja me erë,
Dhe me bukuri,
E me mituri,
Kur çel në verë,
Emrin tënt thonë,
Ty të tregojnë
E të lëvdojnë,
Ty gjithë monë!
Po njeriu, o Zot!
S'ta di emrin tënt,
Se s'gjendet me mënt.
Ah! S'e thotë dot;
Njeriu nukë munt,
Se gjuhë s'i dhe
Që të thotë ç'je,
O fuqi pa funt!
Dielli kur del,
A tek perëndon,
Zogu kur këndon,
E gjethi tek çel,
Bukur tregojnë,
Emrin që ke,
Rrëfejnë ç'gjë je,
Dhe më gëzojnë.
Në gjithë botë
Vetëm njeriu s'di
Rri si çilimi
E s'mundet ta thotë!
Me zë të zjartë,
Donja të flisnja,
Edhe t'i grisnja,
Retë si kartë,
Si vetëtima;
Apo si lumi,
Që s'e zë gjumi,
Me oshëtima!
Falmë nga togu
Q'është e ç'shohëm
Nga gjithë ç'njohëm,
Zën' e një zogu,
Të rri më një vënt,
Edhe më lerë,
Të them një herë,
Një herë emrin tënt.


This work was published before January 1, 1929, and is in the public domain worldwide because the author died at least 100 years ago.