Kanali
nga Arshi Pipa



I
Nga Korça bumbullon. Currila shiu
Rrjedhin prej mushamas mbi krena e shtroje.
Pështillen, struken gjindja ndër mbuloje:
nji lamsh ku qelben recka e mish njeriu.

Mbramje, Dikush përbri qet gjak për goje.
Këndon lehtas matanë nji fmi arixhiu.
Ky grindet për pakë uj qi shoku i piu;
ai shan se i vodhën bukën. Hyn nji roje.

Shkopinj e shkelma. Britma. Fryn bilbili.
Pushim. E dergjet lodhja, pran secili,
e flen kush mundet për at natë me fjetë.

Si lazaret rënkon e fshan baraka.
Nesër të gjithë i pret kanali, brraka,
veç atyre qi i pret nji vorr i shkretë.


IX
Ditën asht vallja, natën sarabanda
Se rraskapitesh ditën, natën flen?
Nuk thom për morrin, qi për trup e gjen
(u msuem me të) si miza dheu ndër banda.

E zgjohesh trembshëm… Ndien a vesh t'rren?
Këlthitje, t'çjerruna, rënkime t'randa…
Torturohen tash shokët te komanda,
e radha jote nesër ka me qenë.

E ç'nuk na bajshin! Na rrihnin me tel;
lakuriq, e mandej n'ujna handraku
na zhyteshin, trupin plagë n'currila gjaku.

E na lidhnin me fill prej telefoni
Për shtylla aty pranë krahanuer e bel
Që t'na pështynte nesrjet divizioni.


XIII
N'infermierin e kampit, nji kasolle
Anash rrethue me hasër, nalt me kashtë,
dergjen ndër qelbësina pesë a gjashtë;
njiqind, dyqind i ka gjithmonë okolle.

Pushim ankojnë. Por vjen rreshteri i vrazhdë
Dhe krisin hujt e çizmet n'ato golla
Jetë s'përçundun ngelun veç gëzholle
E shpesh me shkelma i qet nga shtrati, jashtë.

E vdesin fatkëqijt aty te praku
Vdesin e hendeqeve ndër baraka gjaku,
vdesin nën shtrat ku mshehen për me vdekë.
Vdesin tue pritun bukën, ndër gjiriza
Tue ba nevojën, vdesin posi miza,
dhe si coftina i kallin ndër hendekë.


XXIV
Ajo na mbajti gjallë. Si luleferrë
Nga rrota e qerres shkelun rrafsh me tokën,
por qi nuk shtrohet për me vdekë e kokën
nesërjet diellit plot uzdajë i pjerrë,

ashtun nën rrotën, që për ne që mokën
me shpirt ndër dhambë duruem na kët skëterrë,
lirin e andrruem te nata e bame sterrë,
e zemrat tona për atë flamur rrokën.

Se nuk dyshuem na kur qi shpejt a vonë
Nga tiranija e randë atdheu do t'shkundesh,
dhe si nji perlë e nxjerrun thellë prej fundesh

ma e bukur do t'shkëlqente besa jonë.
Vuej por qëndro! Marr zemër te burrnija!
E vdis tue brohoritun: Rroftë Shqipnija!