Konventa mbi të Drejtat e Fëmijës/Preambula

Konventa mbi të Drejtat e Fëmijës Konventa mbi të Drejtat e Fëmijës
Preambula
nga Asambleja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara
Pjesa I



Shtetet Palë në këtë Konventë,

Duke pasur parasysh se, në përputhje me parimet e shpallura në Kartën e Kombeve të Bashkuara, njohja e dinjitetit të lindur dhe e të drejtave të barabarta e të patjetërsueshme të të gjithë anëtarëve të familjes njerëzore është baza e lirisë, drejtësisë dhe e paqes në botë,

Duke mbajtur parasysh faktin se popujt e Kombeve të Bashkuara kanë ripohuar në Kartë besimin e tyre në të drejtat themelore të njeriut dhe në dinjitetin dhe vlerën e njeriut dhe kanë vendosur të nxisin përparimin shoqëror e të krijojnë kushte më të mira jetese, në një liri më të madhe,

Duke pranuar se Kombet e Bashkuara, në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe në Paktet ndërkombëtare mbi të Drejtat e Njeriut, kanë shpallur dhe kanë pranuar që çdonjëri mund të përfitojë nga të gjitha të drejtat dhe të gjitha liritë e parashtruara në to, pa asnjë dallim race, ngjyre, gjinie, gjuhe, feje, opinioni politik ose çdo lloj opinioni tjetër, origjine kombëtare, ose shoqërore, pasurie, prejardhjeje ose çdo lloj gjendjeje tjetër,

Duke kujtuar se në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, Kombet e Bashkuara kanë shpallur që mosha e fëmijërisë ka të drejtë për një përkujdesje dhe përkrahje të veçantë,

Të bindur se familja, si njësi bazë e shoqërisë dhe mjedis natyror për rritjen dhe mirëqenien e të gjithë anëtarëve të saj dhe veçanërisht të fëmijëve, duhet të ketë mbrojtjen dhe përkrahjen e nevojshme që të mund të marrë përsipër plotësisht rolin e saj në bashkësi,

Duke pranuar se fëmija, për zhvillimin e plotë dhe të harmonishëm të personalitetit të tij, duhet të rritet në mjedis familjar, në një atmosferë lumturie, dashurie dhe mirëkuptimi,

Duke pasur parasysh se fëmija duhet të përgatitet plotësisht për të bërë një jetë individuale në shoqëri dhe të edukohet në frymën e idealeve të shpallura në Kartën

e Kombeve të Bashkuara dhe sidomos në frymën e paqes, të dinjitetit, tolerancës, lirisë, barazisë dhe solidaritetit,

Duke mbajtur parasysh se domosdoshmëria për t’i dhënë një mbrojtje të posaçme fëmijës është pohuar në Deklaratën e Gjenevës mbi të Drejtat e Fëmijës të vitit 1924 dhe në Deklaratën mbi të Drejtat e Fëmijës të miratuar nga Kombet e Bashkuara më 20 nëntor 1959 dhe që është njohur në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, në Paktin Ndërkombëtar mbi të Drejtat Civile dhe Politike (në veçanti në nenet 23 dhe 24), në Paktin Ndërkombëtar mbi të Drejtat Ekonomike, Shoqërore dhe Kulturore (në veçanti në nenin 10) dhe në statutet e instrumentet përkatëse të agjencive të specializuara dhe të organizatave ndërkombëtare, që merren me mirëqenien e fëmijës,

Duke mbajtur parasysh se, ashtu siç është thënë në Deklaratën e të Drejtave të Fëmijës “fëmija, për shkak të papjekurisë së tij fizike dhe intelektuale ka nevojë për një mbrojtje dhe kujdes të posaçëm, përfshirë mbrojtjen juridike të përshtatshme, si para ashtu dhe pas lindjes”,

Duke kujtuar dispozitat e Deklaratës mbi Parimet Shoqërore dhe Juridike lidhur me Mbrojtjen dhe Mirëqenien e Fëmijëve, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me vendosjen e fëmijës në një familje ushqyese dhe birësimin e fëmijës brenda dhe jashtë vendit; me rregullat minimale standard të Kombeve të Bashkuara mbi administrimin e drejtësisë për të miturit (Rregullat e Pekinit) dhe të Deklaratës mbi Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Periudha të Gjendjes së Jashtëzakonshme dhe Konflikti të Armatosur,

Duke pranuar se në të gjitha vendet e botës ka fëmijë që jetojnë në kushte jashtëzakonisht të vështira dhe se është e nevojshme që këtyre fëmijëve t’u kushtohet një vëmendje e veçantë,

Duke mbajtur parasysh si duhet rëndësinë e traditave dhe të vlerave kulturore të çdo populli në mbrojtjen dhe zhvillimin e harmonishëm të fëmijës, Duke pranuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për përmirësimin e kushteve të jetesës së fëmijëve në të gjitha vendet, dhe veçanërisht në vendet në zhvillim,

U morën vesh për sa vijon