Kushtetuta e Kosovës/Kapitulli II
←Kapitulli I | Kushtetuta e Republikës së Kosovës Kapitulli II (Të Drejtat dhe Liritë Themelore) nga Komisioni Kushtetues i Republikës së Kosovës |
Kapitulli III→ |
Neni 21 [Parimet e Përgjithshme]
edit- Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të pacenueshme dhe janë bazë e rendit juridik të Republikës së Kosovës.
- Republika e Kosovës mbron dhe garanton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, të parashikuara në këtë Kushtetutë.
- Çdokush e ka për detyrë t’i respektojë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të të tjerëve.
- Të drejtat dhe liritë themelore të parashikuara në Kushtetutë, vlejnë edhe për personat juridikë, për aq sa janë të zbatueshme.
Neni 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare]
edit- Të drejtat dhe liritë e njeriut të garantuara me marrëveshjet dhe instrumentet ndërkombëtare në vijim, garantohen me këtë Kushtetutë, zbatohen drejtpërdrejtë në Republikën e Kosovës dhe kanë prioritet, në rast konflikti, ndaj dispozitave e ligjeve dhe akteve të tjera të institucioneve publike:
- Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut;
- Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj;
- Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile e Politike dhe Protokollet e saj;
- Konventa Kornizë e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare;
- Konventa për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit Racor;
- Konventa për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Gruas;
- Konventa për të Drejtat e Fëmijës;
- Konventa kundër Torturës dhe Trajtimeve e Ndëshkimeve të tjera Mizore, Jonjerëzore dhe Poshtëruese.
Neni 23 [Dinjiteti i Njeriut]
edit- Dinjiteti i njeriut është i pacenueshëm dhe është bazë e të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Neni 24 [Barazia para Ligjit]
edit- Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.
- Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.
- Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato.
Neni 25 [E Drejta për Jetën]
edit- Secili individ gëzon të drejtën për jetën.
- Dënimi me vdekje është i ndaluar.
Neni 26 [E Drejta e Integritetit Personal]
edit- Secili person gëzon të drejtën e respektimit të integritetit fizik dhe psikik të tij/saj, që përfshin:
- të drejtën që të marrë vendime lidhur me reprodukimin, sipas rregullave dhe procedurave të përcaktuara me ligj;
- të drejtën që të ketë kontroll mbi trupin e saj/tij në pajtim me ligjin;
- të drejtën që të mos i nënshtrohet trajtimit mjekësor kundër vullnetit të tij/saj në pajtim me ligjin;
- të drejtën që të mos marrë pjesë në eksperimente mjekësore ose shkencore, pa pëlqimin paraprak të saj/tij.
Neni 27 [Ndalimi i Torturës, Trajtimit Mizor, Çnjerëzor ose Poshtërues]
edit- Askush nuk i nënshtrohet torturës, ndëshkimit a trajtimit mizor, çnjerëzor ose poshtërues.
Neni 28 [Ndalimi i Skllavërisë dhe i Punës së Detyruar]
edit- Askush nuk mund të mbahet në skllavëri ose në pozitë të ngjashme me skllavërinë.
- Askush nuk mund të shtrëngohet për të kryer punë të detyruar. Punë e detyruar nuk konsiderohet puna ose shërbimi i përcaktuar me ligj për personat e dënuar me vendim të formës së prerë gjatë vuajtjes së dënimit ose në raste të Gjendjes së Jashtëzakonshme, të shpallur sipas rregullave të përcaktuara me këtë Kushtetutë.
- Trafikimi i qenieve njerëzore është i ndaluar.
Neni 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë]
edit- Secilit i garantohet e drejta e lirisë dhe sigurisë. Askush nuk mund të privohet nga liria me përjashtim të rasteve të parapara me ligj dhe me vendim të gjykatës kompetente, si në vijim:
- pas shpalljes së dënimit me burgim për kryerjen e veprës penale;
- për dyshim të bazuar për kryerje të veprës penale, vetëm kur privimi nga liria me një bazë të arsyeshme konsiderohet i domosdoshëm për të parandaluar kryerjen e një vepre tjetër penale dhe vetëm për një periudhë të shkurtër kohore para gjykimit në mënyrën e përcaktuar me ligj;
- për mbikëqyrjen e të miturit për qëllime edukimi ose për shoqërimin e tij/saj në një institucion kompetent, sipas një urdhri të ligjshëm;
- për mbikëqyrje shëndetësore të personit, i cili për shkak të sëmundjes paraqet rrezik për shoqërinë;
- për hyrje të paligjshme në Republikën e Kosovës ose pas urdhrit të ligjshëm për largim ose ekstradim.
- Çdokush që privohet nga liria, duhet të vihet në dijeni menjëherë, për arsyet e privimit, në gjuhën që ajo/ai e kupton. Njoftimi me shkrim mbi arsyet e privimit duhet të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundshme. Çdokush që privohet nga liria pa urdhër të gjykatës, brenda dyzet e tetë (48) orësh duhet të dërgohet përpara gjyqtarit, i cili vendos për paraburgimin ose lirimin e tij/saj, jo më vonë se dyzet e tetë (48) orë nga momenti kur personi i privuar është sjellë para gjykatës. Çdokush që arrestohet, ka të drejtën që të nxirret në gjykim brenda një periudhe të arsyeshme, ose të lirohet në pritje të gjykimit, me përjashtim kur gjyqtari konstaton se personi përbën rrezik për komunitetin ose ka rrezik për ikjen e saj/tij para gjykimit.
- Çdokush që privohet nga liria, duhet të njoftohet menjëherë se ka të drejtë të mos japë asnjë deklaratë dhe se ka të drejtë për mbrojtës sipas zgjedhjes së tij/saj dhe ka të drejtë që pa vonesë të informojë për këtë personin sipas zgjedhjes së vet.
- Çdokush që i hiqet liria me arrest ose ndalim, gëzon të drejtën që të përdorë mjete juridike për të sfiduar ligjshmërinë e arrestit ose të ndalimit. Rasti do të vendoset nga gjykata brenda një afati sa më të shkurtër dhe nëse arresti ose ndalimi është i paligjshëm, do të urdhërohet lirimi i personit.
- Çdokush që është ndaluar ose arrestuar në kundërshtim me dispozitat e këtij neni, gëzon të drejtën e kompensimit në mënyrën e parashikuar me ligj.
- Personi që vuan dënimin, ka të drejtë të ankohet për kushtet e privimit nga liria, në mënyrën e përcaktuar me ligj.
Neni 30 [Të Drejat e të Akuzuarit]
edit- Çdokush që akuzohet për vepër penale, gëzon të drejtat minimale në vijim:
- të njoftohet menjëherë në gjuhën që kupton, për natyrën dhe shkakun e akuzës kundër saj/tij;
- të njoftohet për të drejtat e tij/saj sipas ligjit;
- të ketë kohë, mundësi dhe mjete të mjaftueshme për të përgatitur mbrojtjen e vet;
- të ketë ndihmën pa pagesë të një përkthyesi, kur nuk flet ose nuk kupton gjuhën në të cilën zhvillohet gjykimi;
- të ketë ndihmën e një mbrojtësi që e zgjedh, të komunikojë lirisht me të dhe, nëse nuk ka mjete të mjaftueshme, t’i sigurohet mbrojtja falas;
- të mos shtrëngohet për të dëshmuar kundër vetvetes ose për të pranuar fajësinë e vet.
Neni 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
edit- Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
- Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
- Gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta, konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të medieve, sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare, interesat e të miturve, ose për mbrojtjen e jetës private të palëve në proces, në mënyrën e përcaktuar me ligj.
- Çdokush i akuzuar për vepër penale ka të drejtë t'u bëjë pyetje dëshmitarëve dhe të kërkojë paraqitjen e detyrueshme të dëshmitarëve, të ekspertëve dhe të personave të tjerë, të cilët mund të sqarojnë faktet.
- Çdokush i akuzuar për vepër penale, prezumohet të jetë i pafajshëm derisa të mos dëshmohet fajësia e tij/saj, në pajtim me ligjin.
- Ndihma juridike falas do t’u mundësohet atyre që nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare, nëse një ndihmë e tillë është e domosdoshme për të siguruar qasjen efektive në drejtësi.
- Procedurat gjyqësore që përfshijnë të miturit rregullohen me ligj, duke respektuar rregullat dhe procedurat e veçanta për të miturit.
Neni 32 [E Drejta për Mjete Juridike]
edit- Secili person ka të drejtë të përdorë mjetet juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative të cilat cenojnë të drejtat ose interesat e saj/tij në mënyrën e përcaktuar me ligj.
Neni 33 [Parimi i Legalitetit dhe Proporcionalitetit në Rastet Penale]
edit- Askush nuk mund të akuzohet ose të dënohet për asnjë vepër e cila, në momentin e kryerjes, nuk ka qenë e përcaktuar me ligj si vepër penale, me përjashtim të veprave të cilat, në kohën e kryerjes së tyre, sipas së drejtës ndërkombëtare, përbënin gjenocid, krime lufte ose krime kundër njerëzimit.
- Dënimi i shqiptuar për një vepër penale nuk mund të jetë më i ashpër sesa ka qenë i përcaktuar me ligj në kohën e kryerjes së veprës.
- Ashpërsia e dënimit nuk mund të jetë në disproporcion me veprën penale.
- Dënimet përcaktohen në bazë të ligjit që ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, me përjashtim të veprave për të cilat ligji i mëvonshëm i aplikueshëm është më i favorshëm për kryesin e veprës.
Neni 34 [E Drejta për të mos u Gjykuar dy herë për të njëjtën Vepër]
edit- Askush nuk mund të gjykohet më shumë se një herë për të njëjtën vepër penale.
Neni 35 [Liria e Lëvizjes]
edit- Shtetasit e Republikës së Kosovës dhe të huajt që janë banorë të ligjshëm të Kosovës, kanë të drejtë të lëvizin lirisht në Republikën e Kosovës dhe të zgjedhin vendbanimin.
- Secili person ka të drejtë të largohet nga vendi. Kufizimet e kësaj të drejte rregullohen me ligj, nëse ato janë të nevojshme për procedurën ligjore, zbatimin e vendimit të gjykatës ose për të përmbushur obligimin për mbrojtjen e shtetit.
- Shtetasve të Republikës së Kosovës nuk do t’u ndalohet hyrja në Republikën e Kosovës.
- Shtetasit e Republikës së Kosovës nuk mund të ekstradohen nga Kosova kundër vullnetit të tyre, me përjashtim të rasteve kur me ligj dhe marrëveshjet ndërkombëtare është përcaktuar ndryshe.
- E drejta e të huajve për të hyrë në Republikën e Kosovës dhe për t’u vendosur në vend, rregullohet me ligj.
Neni 36 [E Drejta e Privatësisë]
edit- Çdokush gëzon të drejtën që t’i respektohet jeta private dhe familjare, pacenueshmëria e banesës dhe fshehtësia e korrespondencës, telefonisë dhe e komunikimeve të tjera.
- Kontrollet e cilësdo banese ose cilitdo objekti privat, që mendohet se janë të domosdoshme për hetimin e krimit, mund të bëhen vetëm deri në shkallën e domosdoshme dhe vetëm pas miratimit nga ana e gjykatës, pas shpjegimit të arsyeve pse një kontroll i tillë është i domosdoshëm. Shmangia nga kjo rregull lejohet, nëse është e domosdoshme për arrestim të ligjshëm, për mbledhjen e provave që ka rrezik të humbasin ose për mënjanimin e rrezikut të drejtpërdrejtë dhe serioz për njerëzit dhe për pasuri, në mënyrën e përcaktuar me ligj. Gjykata duhet që të miratoj veprimet e tilla në mënyrë retroaktive.
- Fshehtësia e korrespondencës, telefonisë dhe komunikimit tjetër, është e drejtë e pacenueshme. Kjo e drejtë mund të kufizohet vetëm përkohësisht, në bazë të vendimit gjyqësor, nëse është e domosdoshme për ecurinë e procedurës penale ose për mbrojtjen e vendit, në mënyrën e parashikuar me ligj.
- Secili person gëzon të drejtën e mbrojtjes së të dhënave personale. Mbledhja, ruajtja, qasja, korrigjimi dhe shfrytëzimi i tyre rregullohet me ligj.
Neni 37 [E Drejta e Martesës dhe Familjes]
edit- Në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin.
- Martesa dhe zgjidhja e saj rregullohen me ligj dhe bazohen në barazinë e bashkëshortëve.
- Familja gëzon mbrojtje të veçantë të shtetit, në mënyrën e rregulluar me ligj.
Neni 38 [Liria e Besimit, e Ndërgjegjes dhe e Fesë]
edit- Liria e besimit, e ndërgjegjes dhe e fesë, është e garantuar.
- Liria e besimit, e ndërgjegjes dhe e fesë ngërthen të drejtën për të pranuar dhe për të manifestuar fenë, të drejtën për të shfaqur bindjet personale dhe të drejtën për të pranuar ose refuzuar për të qenë anëtarë i një bashkësie ose grupi fetar.
- Askush nuk mund të detyrohet ose të ndalohet, në kundërshtim me ndërgjegjen e vet, që të marrë pjesë në praktikimin e fesë si dhe të bëjë publike bindjet ose besimin e tij/saj.
- Liria e manifestimit të fesë, e besimit dhe e ndërgjegjes mund të kufizohet me ligj, nëse një gjë e tillë është e domosdoshme për mbrojtjen e sigurisë dhe rendit publik, të shëndetit, ose të të drejtave të personave të tjerë.
Neni 39 [Konfesionet Fetare]
edit- Republika e Kosovës siguron dhe mbron autonominë fetare dhe monumentet fetare brenda territorit të saj.
- Konfesionet fetare janë të lira që të rregullojnë pavarësisht organizimin e vet të brendshëm, veprimtaritë fetare, si dhe ritet fetare.
- Konfesionet fetare kanë të drejtë të themelojnë shkolla fetare dhe institucione bamirëse në pajtim me këtë Kushtetutë dhe me ligj.
Neni 40 [Liria e Shprehjes]
edit- Liria e shprehjes është e garantuar. Liria e shprehjes përfshin të drejtën për të shprehur, për të shpërndarë dhe për të marrë informacione, mendime dhe mesazhe të tjera, pa u penguar nga askush.
- Liria e shprehjes mund të kufizohet me ligj në raste kur një gjë e tillë është e domosdoshme për parandalimin e nxitjes dhe provokimit të dhunës dhe armiqësive në baza të urrejtjes racore, kombëtare, etnike ose fetare.
Neni 41 [E Drejta e Qasjes në Dokumente Publike]
edit- Secili person gëzon të drejtën të qasjes në dokumente publike.
- Dokumentet që mbajnë institucionet publike dhe organet e pushtetit shtetëror, janë publike, me përjashtim të informacioneve që janë të kufizuara me ligj, për shkak të privatësisë, të sekreteve afariste ose të informacioneve të klasifikuara të sigurisë.
Neni 42 [Liria e Medieve]
edit- Garantohet liria dhe pluralizmi i medieve.
- Censura është e ndaluar. Askush nuk mund të pengojë shpërndarjen e informacionit ose të ideve nëpërmjet medieve, me përjashtim të rasteve kur një gjë e tillë është e domosdoshme për parandalimin e nxitjes dhe provokimit të dhunës dhe armiqësive në baza të urrejtjes racore, kombëtare, etnike ose fetare.
- Çdokush ka të drejtë të korrigjojë informacionin e pavërtetë, jo të plotë ose të pasaktë të publikuar, nëse cenon të drejtat ose interesat e saj/tij, në pajtim me ligjin.
Neni 43 [Liria e Tubimit]
edit- Liria e tubimit paqësor është e garantuar. Secili person gëzon të drejtën për të organizuar tubime, protesta dhe demonstrata, si dhe të drejtën për të marrë pjesë në to. Këto të drejta mund të kufizohen me ligj, nëse është e domosdoshme për të siguruar rendin publik, shëndetin publik, sigurinë kombëtare, ose mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve.
Neni 44 [Liria e Asociimit]
edit- Liria e asociimit është e garantuar. Liria e asociimit ngërthen të drejtën e secilit për të themeluar një organizatë pa pasur nevojë të sigurojë leje, për të qenë ose për të mos qenë
anëtar i një organizate, si dhe për të marrë pjesë në aktivitete të një organizate.
- Liria për të themeluar sindikata dhe për t’u organizuar, me qëllim që të mbrohen interesat, është e garantuar. Kufizimi i kësaj të drejte mund të bëhet me ligj për kategori të veçanta të punonjësve.
- Organizatat ose aktivitetet që kanë për qëllim cenimin e rendit kushtetues, shkeljen e lirive dhe të drejtave të njeriut, ose nxitjen e urrejtjes racore, kombëtare, etnike a fetare, mund të ndalohen me vendim gjyqësor të gjykatës kompetente.
Neni 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes]
edit- Çdo shtetas i Republikës së Kosovës që ka arritur moshën tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, gëzon të drejtën të zgjedhë dhe të zgjedhet, me përjashtim kur kjo e drejtë i kufizohet me vendim gjyqësor.
- Vota është personale, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë.
- Institucionet shtetërore mbështesin mundësitë për pjesëmarrjen e çdonjërit në aktivitete publike dhe të drejtën e secilit për të ndikuar në mënyrë demokratike në vendimet e organeve publike.
Neni 46 [Mbrojtja e Pronës]
edit- E drejta e pronës është e garantuar.
- Shfrytëzimi i pronës rregullohet me ligj, në pajtim me interesin publik.
- Askush nuk do të privohet në mënyrë arbitrare nga prona. Republika e Kosovës ose autoriteti publik i Republikës së Kosovës mund të bëj ekspropriimin e pronës nëse ky ekspropriim është i autorizuar me ligj, është i nevojshëm ose i përshtatshëm për arritjen e qëllimit publik ose përkrahjen e interesit publik, dhe pasohet me sigurimin e kompensimit të menjëhershëm dhe adekuat për personin ose personat prona e të cilave ekspropriohet.
- Kontestet që lindin nga akti i Republikës së Kosovës ose autoritetit publik të Republikës së Kosovës për të cilat pretendohet se përbëjnë ekspropriimin, do të zgjidhen nga gjykata kompetente.
- Prona intelektuale mbrohet me ligj.
Neni 47 [E Drejta për Arsimin]
edit- Secili person gëzon të drejtën e shkollimit themelor pa pagesë. Shkollimi i detyrueshëm rregullohen me ligj dhe financohet nga fondet publike.
- Institucionet publike sigurojnë për secilin person mundësi të barabarta për t’u arsimuar, sipas aftësive dhe nevojave të veçanta të tij/saj.
Neni 48 [Liria e Artit dhe e Shkencës]
edit- Liria e krijimtarisë artistike dhe shkencore është e garantuar.
- Liria akademike është e garantuar.
Neni 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit]
edit- E drejta e punës garantohet.
- Secili person është i lirë të zgjedhë profesionin dhe vendin e punës.
Neni 50 [Të Drejtat e Fëmijës]
edit- Fëmijët gëzojnë të drejtën e mbrojtjes dhe të kujdesit të domosdoshëm për mirëqenien e tyre.
- Fëmijët e lindur jashtë martese, kanë të drejta të barabarta me të lindurit në martesë.
- Secili fëmijë gëzon të drejtën për të qenë i mbrojtur nga dhuna, keqtrajtimi dhe eksploatimi.
- Të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me fëmijët, të ndërmarra qoftë nga institucionet e pushtetit publik, qoftë nga institucionet private, do të jenë në interesin më të mirë të fëmijëve.
- Secili fëmijë gëzon të drejtën për raporte të rregullta personale dhe kontakte të drejtpërdrejta me prindërit e vet, me përjashtim kur institucioni kompetent përcakton se një gjë e tillë është në kundërshtim me interesat më të mira të fëmijës.
Neni 51 [Mbrojtja Shëndetësore dhe Sociale]
edit- Kujdesi shëndetësor dhe sigurimi social rregullohen me ligj.
- Sigurimi social themelor, që ka të bëjë me papunësinë, sëmundjen, aftësitë e kufizuara dhe moshën e shtyrë, rregullohet me ligj.
Neni 52 [Përgjegjësia për Mjedisin Jetësor]
edit- Natyra dhe biodiversiteti, mjedisi jetësor dhe trashëgimia kombëtare, janë përgjegjësi për secilin.
- Institucionet e pushtetit publik angazhohen për t’i garantuar secilit mundësinë që të ndikojë në vendimet që kanë të bëjnë me mjedisin jetësor ku ajo/ai jeton.
- Ndikimi në mjedisin jetësor merret parasysh nga institucionet publike në procesin e marrjes së vendimeve.
Neni 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut]
edit- Të drejtat njeriut dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Neni 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave]
edit- Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes gjyqësore në rast të shkeljes ose mohimit të ndonjë të drejte të garantuar me këtë Kushtetutë ose me ligj, si dhe të drejtën në mjete efektive ligjore nëse konstatohet se një e drejtë e tillë është shkelur.
Neni 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore]
edit- Të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, mund të kufizohen vetëm me ligj.
- Të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, mund të kufizohen vetëm deri në atë masë sa është e domosdoshme që, në një shoqëri të hapur dhe demokratike, të përmbushet qëllimi për të cilin lejohet kufizimi.
- Kufizimet e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, nuk mund të bëhen për qëllime të tjera, përveç atyre për të cilat janë përcaktuar.
- Me rastin e kufizimit të të drejtave të njeriut dhe interpretimit të atyre kufizimeve, të gjitha institucionet e pushtetit publik, dhe sidomos gjykatat, e kanë për detyrë t’i kushtojnë kujdes esencës së të drejtës që kufizohet, rëndësisë së qëllimit të kufizimit, natyrës dhe vëllimit të kufizimit, raportit midis kufizimit dhe qëllimit që synohet të arrihet, si dhe të shqyrtojnë mundësinë e realizimit të atij qëllimi me kufizim më të vogël.
- Kufizimi i të drejtave dhe lirive të garantuara me këtë Kushtetutë, nuk bën të mohojë kurrsesi esencën e së drejtës së garantuar.
Neni 56 [Të Drejtat dhe Liritë Themelore gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme]
edit- Shmangia nga të drejtat dhe liritë themelore që mbrohen me Kushtetutë, mund të bëhet vetëm pas shpalljes së Gjendjes së Jashtëzakonshme sipas kësaj Kushtetute dhe vetëm deri në masën sa është e domosdoshme nën rrethanat e dhëna.
- Shmangia nga të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenet 23, 24, 25, 27, 28, 29, 31, 33, 34, 37 dhe 38, të Kushtetutës nuk është e lejuar në kurrfarë rrethanash.