Kushtetuta e Kosovës/Kapitulli V

Kapitulli IV Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Kapitulli V (Presidenti i Republikës së Kosovës)
nga Komisioni Kushtetues i Republikës së Kosovës
Kapitulli VI



Neni 83 [Statusi i Presidentit]

edit
  1. Presidenti është kreu i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit të Republikë së Kosovës.

Neni 84 [Kompetencat e Presidentit]

edit
  1. Presidenti i Republikës së Kosovës:
    1. përfaqëson Republikën e Kosovës brenda dhe jashtë;
    2. garanton funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara me këtë Kushtetutë;
    3. shpall zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës dhe thërret mbledhjen e parë te tij;
    4. nxjerr dekrete në pajtim me këtë Kushtetutë;
    5. shpall ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës;
    6. ka të drejtën e kthimit për rishqyrtim të ligjeve të miratuara, nëse konsideron se janë të dëmshme për interesat legjitime të Republikës së Kosovës ose të një a më shumë komuniteteve të saj. Të drejtën e rikthimit të një ligji mund ta shfrytëzojë vetëm një herë;
    7. nënshkruan marrëveshjet ndërkombëtare në pajtim me këtë Kushtetutë;
    8. propozon amendamente për këtë Kushtetutë;
    9. mund të referojë çështje kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese;
    10. udhëheq politikën e jashtme të vendit;
    11. pranon letrat kredenciale të shefave të misioneve diplomatike të akredituar në Republikën e Kosovës;
    12. është Komandant Suprem i Forcave të Sigurisë të Kosovës;
    13. udhëheq Këshillin Konsultativ për Komunitete;
    14. cakton mandatarin për formimin e Qeverisë, pas propozimit të partisë politike ose të koalicionit, që përbën shumicën e Kuvendit;
    15. emëron dhe shkarkon Kryetarin e Gjykatës Supreme të Kosovës me propozimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës;
    16. emëron dhe shkarkon gjyqtarët e Republikës së Kosovës me propozimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës;
    17. emëron dhe shkarkon Kryeprokurorin e Shtetit të Republikës së Kosovës, me propozimin e Këshillit Prokuroial të Kosovës;
    18. emëron dhe shkarkon prokurorët e Republikës së Kosovës, me propozimin të Këshillit Prokurorial të Kosovës;
    19. emëron gjyqtarët për Gjykatën Kushtetuese, me propozimin e Kuvendit;
    20. emëron Komandantin e Forcave të Sigurisë të Kosovës, pas rekomandimit të Kryeministrit;
    21. së bashku me Kryeministrin, emëron Drejtorin, Zëvendësdrejtorin dhe Inspektorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Kosovës për Intelegjencë;
    22. vendos për shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme, në konsultim me Kryeministrin;
    23. mund të kërkojë mbledhje të Këshillit të Sigurisë të Kosovës dhe i kryeson ato në kohën e Gjendjes së Jashtëzakonshme;
    24. vendos për formimin e misioneve diplomatike e konsullare të Republikës së Kosovës, në bazë të konsultimit me Kryeministrin;
    25. emëron dhe shkarkon shefat e misioneve diplomatike të Republikës së Kosovës, me propozimin e Qeverisë;
    26. emëron Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve;
    27. emëron Guvernatorin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës i cili shërben edhe si Drejtor Menaxhues dhe emëron anëtarët e tjerë të Bordit të Bankës;
    28. jep medalje, mirënjohje dhe çmime, në pajtim me ligjin;
    29. shpall falje individuale, në pajtim me ligjin;
    30. sё paku një herë në vit i drejtohet Kuvendit

Neni 85 [Kualifikimi për Zgjedhjen e Presidentit]

edit
  1. President i Republikës së Kosovës mund të zgjedhet çdo shtetas i Republikës së Kosovës, i cili e ka mbushur moshën tridhjetë e pesë (35) vjeçare.

Neni 86 [Zgjedhja e Presidentit]

edit
  1. Presidenti i Republikës së Kosovës zgjedhet nga Kuvendi, me votim të fshehtë.
  2. Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual.
  3. Secili shtetas i Republikës së Kosovës mund të nominohet si kandidatë për President të Republikës së Kosovës, nëse ajo/ai siguron nënshkrimet e të paktën tridhjetë (30) deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Deputetët e Kuvendit mund të nënshkruajnë vetëm për një kandidatë për President të Republikës së Kosovës.
  4. Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.
  5. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjedhet President i Republikës së Kosovës.
  6. Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh.

Neni 87 [Mandati dhe Betimi]

edit
  1. Presidenti i Republikës së Kosovës fillon mandatin pasi të ketë dhënë betimin para Kuvendit të Kosovës. Teksti i betimit rregullohet me ligjin.
  2. Mandati i Presidentit është pesë (5) vjet.
  3. Pas përfundimit të mandatit të parë, Presidenti mund të rizgjedhet vetëm edhe një herë.

Neni 88 [Papajtueshmëria]

edit
  1. Presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion tjetër publik.
  2. Pas zgjedhjes, Presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion në parti politike.

Neni 89 [Imuniteti]

edit
  1. Presidenti i Republikës së Kosovës gëzon imunitet nga ndjekja penale, paditë civile ose shkarkimi për veprimet dhe vendimet brenda fushëveprimit të përgjegjësive të Presidentit të Republikës së Kosovës.

Neni 90 [Mungesa e Përkohshme e Presidentit]

edit
  1. Në rast se Presidenti i Republikës së Kosovës përkohësisht nuk është i aftë për të përmbushur përgjegjësitë e tij/saj, ajo/ai mund t’ia kalojë vullnetarisht detyrat e postit të tij/saj, Kryetarit të Kuvendit, i cili do të jetë ushtrues i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës. Urdhri i Presidentit për kalimin e përgjegjësive duhet të përmbajë veçanërisht arsyet dhe kohëzgjatjen e kalimit të përgjegjësive, nëse ka njohuri për to. Presidenti i Republikës së Kosovës do të rifillojë ushtrimin e përgjegjësive kur të jetë në gjendje t’i ushtrojë përgjegjësitë, dhe kështu Kryetarit të Kuvendit i pushon posti i ushtruesit të detyrës së Presidentit.
  2. Në rast se nuk ka ndodhur kalimi vullnetar i përgjegjësive, Kuvendi i Republikës së Kosovës, pas konsultimit me konsiliumin mjekësor, me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve vendos nëse Presidenti i Republikës së Kosovës është përkohësisht i paaftë për të ushtruar përgjegjësitë e veta. Kryetari i Kuvendit të Kosovës do të shërbejë si ushtrues i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës derisa ajo/ai të bëhet i aftë që të rifillojë ushtrimin e përgjegjësive të Presidentit.
  3. Posti i ushtruesit të detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë (6) muaj.

Neni 91 [Shkarkimi i Presidentit]

edit
  1. Presidenti i Republikës së Kosovës mund të shkarkohet nga Kuvendi nëse ai/ajo është dënuar për kryerjen e krimit të rëndë ose nëse ajo/ai nuk është i/e aftë për të ushtruar përgjegjësitë e këtij posti për shkak të sëmundjes së rëndë ose nëse Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se ajo/ai ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës.
  2. Procedura për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Kosovës mund të iniciohet nga një e treta (1/3) e deputetëve të Kuvendit, të cilët nënshkruajnë një peticion, i cili shpjegon arsyet për shkarkim. Në rast se peticioni supozon sëmundjen e rëndë, Kuvendi do të kërkojë mendimin e konsiliumit mjekësor për gjendjen shëndetësore të Presidentit. Në rast se peticioni supozon ndonjë shkelje të rëndë të Kushtetutës, peticioni duhet t’i dorëzohet menjëherë Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosë për këtë çështje brenda shtatë (7) ditësh nga marrja e peticionit.
  3. Nëse Presidenti i Republikës së Kosovës është dënuar për ndonjë krim të rëndë ose kur nëse Kuvendi, në pajtim me këtë nen, konstaton që Presidenti nuk është i aftë të ushtrojë përgjegjësitë e tij/saj për shkak të sëmundjes së rëndë ose nëse Gjykata Kushtetuese konstaton se ajo/ai ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës, Kuvendi mund të shkarkojë Presidentin me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të tij.