Kushtetuta e Kosovës/Kapitulli XII

Kapitulli XI Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Kapitulli XII (Institucionet e Pavarura)
nga Komisioni Kushtetues i Republikës së Kosovës
Kapitulli XIII



Neni 132 [Roli dhe Kompetencat e Avokatit të Popullit]

edit
  1. Avokati i Popullit mbikëqyr dhe mbron të drejtat dhe liritë e individëve nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme dhe të parregullta të autoriteteve publike.
  2. Avokati i Popullit është i pavarur në ushtrimin e detyrës dhe nuk pranon udhëzime e ndërhyrje nga organet, institucionet ose autoritetet e tjera, të cilat ushtrojnë pushtetin në Republikën e Kosovës.
  3. Çdo organ, institucion ose autoritet tjetër, që ushtron pushtet legjitim në Republikën e Kosovës, është i detyruar t’u përgjigjet kërkesave të Avokatit të Popullit dhe t’i paraqesë atij/asaj të gjitha dokumentet dhe informacionet e kërkuara në pajtim me ligj.

Neni 133 [Zyra e Avokatit të Popullit]

edit
  1. Zyra e Avokatit të Popullit është e pavarur, dhe propozon e administron buxhetin e vet, në pajtim me ligj.
  2. Avokati i Popullit ka një (1) ose më shumë zëvendës. Numri, mënyra e përzgjedhjes dhe mandati i tyre, rregullohen me ligjin për Avokatin e Popullit. Të paktën një (1) nga zëvendësit e Avokatit të Popullit është pjesëtar i komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë.

Neni 134 [Kualifikimi, Zgjedhja dhe Shkarkimi i Avokatit të Popullit]

edit
  1. Avokatin e Popullit e zgjedh Kuvendi i Kosovës, me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të tij, për një mandat pesë (5) vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje.
  2. Avokat i Popullit ka të drejtë të zgjidhet çdo shtetas i Republikës së Kosovës, me arsim të lartë, me karakter e moral të lartë, i ndershëm, me eksperiencë dhe njohuri të dalluara në fushën e të drejtave të njeriut.
  3. Avokati i Popullit dhe zëvendësit e saj/tij nuk mund të jenë anëtarë të asnjë partie politike, as të ushtrojnë veprimtari politike, shtetërore a private profesionale dhe as të marrin pjesë në organizmat drejtues të organizatave civile, ekonomike dhe tregtare.
  4. Avokati i Popullit gëzon imunitetin nga ndjekja penale, paditë civile ose shkarkimi për veprimet ose vendimet që janë brenda fushës së përgjegjësive të Avokatit të Popullit.
  5. Avokati i Popullit mund të shkarkohet vetëm me kërkesën e më shumë se një të tretës (1/3) së të gjithë deputetëve, dhe në këtë rast Kuvendi vendos me shumicën e dy të tretave (2/3) të të gjithë deputetëve të tij.

Neni 135 [Raportimi i Avokatit të Popullit]

edit
  1. Avokati i Popullit paraqet raport vjetor para Kuvendit të Republikës së Kosovës.
  2. Me kërkesën e Kuvendit, Avokati i Popullit duhet të dorëzojë raporte periodike ose tjera Kuvendit. Me kërkesën e Avokatit të Popullit, Kuvendi duhet t’ia lejojë që të dëgjohet.
  3. Avokati i Popullit ka të drejtë të bëjë rekomandime dhe të propozojë masa, nëse vëren shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut nga ana e organeve të administratës publike dhe organeve të tjera shtetërore.
  4. Avokati i Popullit ka të drejtë të referojë çështje në Gjykatën Kushtetuese, në pajtim me dispozitat e kësaj Kushtetute.

Neni 136 [Auditori i Përgjithshëm i Kosovës]

edit
  1. Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar.
  2. Organizimi, funksionimi dhe kompetencat e Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës, përcaktohen me Kushtetutën dhe me ligj.
  3. Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës zgjidhet nga Kuvendi, me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, në bazë të propozimit të Presidentit të Republikës së Kosovës.
  4. Kuvendi vendos për shkarkimin e Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës me shumicën e dy të tretave (2/3) të të gjithë deputetëve të tij, në bazë të propozimit të Presidentit ose me nismën e një të tretës (1/3) së deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
  5. Mandati i Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës është pesë (5) vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm edhe për një mandat.

Neni 137 [Kompetencat e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës]

edit
  1. Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës kontrollon:
    1. veprimtarinë ekonomike të institucioneve publike dhe të personave të tjerë juridikë shtetërorë;
    2. përdorimin dhe mbrojtjen e fondeve publike nga organet e pushtetit qendror dhe lokal;
    3. veprimtarinë ekonomike të ndërmarrjeve publike dhe personave juridikë të tjerë, tek të cilët Shteti ka një pjesë të aksioneve, ose kur huat, kreditë dhe detyrimet e tyre garantohen nga Shteti.

Neni 138 [Raportimi i Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës]

edit
  1. Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Kuvendit i paraqet:
    1. raport për zbatimin e Buxhetit të Shtetit;
    2. mendimin për raportin e Qeverisë për shpenzimet e vitit financiar të shkuar, para se të miratohet nga Kuvendi;
    3. informacione për rezultatet e kontrolleve, sa herë që kërkohet nga Kuvendi.
  2. Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës i paraqet Kuvendit raportin vjetor për veprimtarinë e vet.

Neni 139 [Komisioni Qendror i Zgjedhjeve]

edit
  1. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është organ i përhershëm që përgatit, mbikëqyr, drejton dhe verifikon të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me procesin e zgjedhjeve e referendumet dhe shpall rezultatet e tyre.
  2. Komisioni përbëhet nga njëmbëdhjetë (11) anëtarë.
  3. Kryesuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e emëron Presidenti i Republikës së Kosovës nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme dhe të Gjykatave me jurisdiksion apeli.
  4. Gjashtë (6) anëtarë emërohen nga pjesëtarët e gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare të përfaqësuara në Kuvend, të cilët nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në ndarjen e vendeve të rezervuara. Nëse në Kuvend janë të përfaqësuara më pak grupe, grupi a grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë. Një (1) anëtarë emërohet nga deputetët e Kuvendit të cilët mbajnë vende të rezervuara a të garantuara për komunitetin Serb të Kosovës dhe tre (3) anëtarë nga deputetët e Kuvendit, të cilët mbajnë vende të rezervuara a të garantuara për komunitetet e tjera që nuk janë shumicë në Kosovë.

Neni 140 [Banka Qendrore e Kosovës]

edit
  1. Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, është institucion i pavarur i cili i përgjigjet vetëm Kuvendit të Kosovës.
  2. Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ushtron kompetencat dhe pushtetin e vet vetëm në pajtim me këtë Kushtetutë dhe me instrumentet e tjera ligjore të zbatueshme.
  3. Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës ushtron edhe detyrën e Kryeshefit Ekzekutiv të saj.
  4. Qeverisja e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe procedurat e zgjedhjes dhe të nominimit të anëtarëve të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës rregullohen me ligjin, cili duhet të sigurojë pavarësinë dhe autonominë e saj.

Neni 141 [Komisioni i Pavarur i Medieve]

edit
  1. Komisioni i Pavarur i Medieve është organ i pavarur që rregullon spektrin e Frekuencave Transmetuese në Republikën e Kosovës, licencon transmetuesit publik e privat, përcakton dhe zbaton politikën e transmetimit si dhe ushtron kompetenca të tjera të përcaktuara me ligj.
  2. Anëtarët e Komisionit të Pavarur të Medieve zgjedhen sipas ligjit, përmes një procesi transparent.

Neni 142 [Agjencitë e Pavarura]

edit
  1. Agjencitë e pavarura të Republikës së Kosovës janë institucione të krijuara nga Kuvendi, në bazë të ligjeve përkatëse, të cilat rregullojnë themelimin, funksionimin dhe kompetencat e tyre. Agjencitë e pavarura funksionet e tyre i kryejnë në mënyrë të pavarur nga çdo organ ose autoritet tjetër në Republikën e Kosovës.
  2. Agjencitë e pavarura kanë buxhetin e tyre, i cili administrohet në mënyrë të pavarur, në pajtim me ligj.
  3. Secili organ, institucion ose autoritet tjetër, që ushtron pushtet legjitim në Republikën e Kosovës, është i detyruar të bashkëpunojë dhe t’u përgjigjet kërkesave të agjencive të pavarura gjatë ushtrimit të kompetencave të tyre ligjore, në pajtim me ligj.