Kushtetuta e Shqipërisë/Pjesa e pestë

Pjesa e katërt Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë
Pjesa e pestë (Këshilli i Ministrave)
nga Komisioni Kushtetues i Republikës së Shqipërisë
Pjesa e gjashtë



Neni 95

edit
  1. Këshilli i Ministrave përbëhet nga Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat.
  2. Këshilli i Ministrave ushtron çdo funksion shtetëror, i cili nuk u është dhënë organeve të pushteteve të tjera shtetërore ose të qeverisjes vendore.

Neni 96

edit
  1. Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i Kryeministrit mbetet vakant, emëron Kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend.
  2. Në qoftë se Kryeministri i emëruar nuk miratohet nga Kuvendi, Presidenti emëron një Kryeministër të ri brenda 10 ditëve.
  3. Në qoftë se edhe Kryeministri i emëruar rishtas nuk miratohet nga Kuvendi, brenda 10 ditëve Kuvendi zgjedh një Kryeministër tjetër. Në këtë rast Presidenti emëron Kryeministrin e ri.
  4. Kur Kuvendi nuk arrin të zgjedhë Kryeministrin e ri, Presidenti i Republikës shpërndan Kuvendin.

Neni 97

edit
  1. Kryeministri i emëruar sipas nenit 96, nenit 104 ose 105, i paraqet për miratim Kuvendit, brenda 10 ditëve, programin politik të Këshillit të Ministrave së bashku me përbërjen e tij.

Neni 98

edit
  1. Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve.
  2. Dekreti shqyrtohet brenda 10 ditëve nga Kuvendi.

Neni 99

edit
  1. Para fillimit të detyrës, Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat betohen para Presidentit të Republikës.

Neni 100

edit
  1. Këshilli i Ministrave përcakton drejtimet kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore.
  2. Këshilli i Ministrave merr vendime me propozim të Kryeministrit ose të ministrit përkatës.
  3. Mbledhjet e Këshillit të Ministrave bëhen të mbyllura.
  4. Aktet e Këshillit të Ministrave janë të vlefshme, kur nënshkruhen nga Kryeministri dhe ministri propozues.
  5. Këshilli i Ministrave nxjerr vendime dhe udhëzime.

Neni 101

edit
  1. Këshilli i Ministrave, në rast nevoje dhe urgjence, nën përgjegjësinë e tij, mund të nxjerrë akte normative që kanë fuqinë e ligjit, për marrjen e masave të përkohshme. Këto akte normative i dërgohen menjëherë Kuvendit, i cili mblidhet brenda 5 ditëve nëse nuk është i mbledhur. Këto akte humbasin fuqinë që nga fillimi, në qoftë se nuk miratohen nga Kuvendi brenda 45 ditëve.

Neni 102

edit
  1. Kryeministri:
    1. përfaqëson Këshillin e Ministrave dhe kryeson mbledhjet e tij;
    2. koncepton dhe paraqet drejtimet kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore dhe përgjigjet për to;
    3. siguron zbatimin e legjislacionit dhe të politikave të miratuara nga Këshilli i Ministrave;
    4. bashkërendon dhe kontrollon punën e anëtarëve të Këshillit të Ministrave dhe të institucioneve të tjera të administratës qendrore të shtetit;
    5. kryen detyra të tjera të parashikuara në Kushtetutë e në ligje.
    6. Kryeministri zgjidh mosmarrëveshjet ndërmjet ministrave.
    7. Kryeministri, në zbatim të kompetencave të tij, nxjerr urdhra.
    8. Ministri, brenda drejtimeve kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore, drejton nën përgjegjësinë e tij veprimtarinë që ka në kompetencë. Ministri, në zbatim të kompetencave të tij, nxjerr urdhra dhe udhëzime.

Neni 103

edit
  1. Ministër mund të caktohet kushdo që ka cilësitë për deputet.
  2. Ministri nuk mund të ushtrojë asnjë veprimtari tjetër shtetërore dhe as të jetë drejtues ose anëtar i organeve të shoqërive fitimprurëse.
  3. Anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit.

Neni 104

edit
  1. Në rast se mocioni i besimit i paraqitur nga Kryeministri refuzohet nga shumica e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, Kuvendi, brenda 15 ditëve, zgjedh një Kryeministër tjetër. Në këtë rast Presidenti emëron Kryeministrin e ri.
  2. Kur Kuvendi nuk arrin të zgjedhë Kryeministrin e ri, Presidenti i Republikës shpërndan Kuvendin.
  3. Votimi i mocionit nuk mund të bëhet pa kaluar 3 ditë nga paraqitja e tij.

Neni 105

edit
  1. Në rast se mocioni i mosbesimit i paraqitur nga një e pesta e deputëteve miratohet nga shumica e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, Kuvendi, brenda 15 ditëve, zgjedh një Kryeministër tjetër. Në këtë rast Presidenti emëron Kryeministrin e ri.
  2. Kur Kuvendi nuk arrin të zgjedhë Kryeministrin e ri, Presidenti i Republikës shpërndan Kuvendin.
  3. Votimi i mocionit nuk mund të bëhet pa kaluar 3 ditë nga paraqitja e tij.

Neni 106

edit
  1. Kryeministri dhe ministrat janë të detyruar të qëndrojnë në detyrë deri në formimin e Këshillit të Ministrave pasardhës.

Neni 107

edit
  1. Nëpunësit publikë zbatojnë ligjin dhe janë në shërbim të popullit.
  2. Nëpunësit në administratën publike caktohen me konkurs, me përjashtim të rasteve të parashikuara nga ligji.
  3. Garancitë e qëndrimit në detyrë dhe trajtimi ligjor i nëpunësve publikë rregullohen me ligj.