Kushtetuta e Shqipërisë/Pjesa e shtatë
←Pjesa e gjashtë | Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë Pjesa e shtatë (Aktet normative dhe Marrëveshjet ndërkombëtare) nga Komisioni Kushtetues i Republikës së Shqipërisë |
Pjesa e tetë→ |
Kreu I [Aktet Normative]
editNeni 116
edit- Aktet normative që kanë fuqi në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë janë:
- Kushtetuta;
- marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara;
- ligjet;
- aktet normative të Këshillit të Ministrave.
- Aktet që nxirren nga organet e pushtetit vendor kanë fuqi vetëm brenda juridiksionit territorial që ushtrojnë këto organe.
- Aktet normative të ministrave dhe të organeve drejtuese të institucioneve të tjera qendrore kanë fuqi në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë brenda sferës së juridiksionit të tyre.
Neni 117
edit- Ligjet, aktet normative të Këshillit të Ministrave, të ministrave, të institucioneve të tjera qendrore marrin fuqi juridike vetëm pasi botohen në Fletoren Zyrtare.
- Shpallja dhe botimi i akteve të tjera normative bëhet sipas mënyrës së parashikuar me ligj.
- Marrëveshjet ndërkombëtare që ratifikohen me ligj, shpallen dhe botohen sipas procedurave që parashikohen për ligjet. Shpallja dhe botimi i marrëveshjeve të tjera ndërkombëtare bëhet sipas ligjit.
Neni 118
edit- Aktet nënligjore nxirren në bazë dhe për zbatim të ligjeve nga organet e parashikuara në Kushtetutë.
- Ligji duhet të autorizojë nxjerrjen e akteve nënligjore, të përcaktojë organin kompetent, çështjet që duhen rregulluar, si dhe parimet në bazë të të cilave nxirren këto akte.
- Organi i autorizuar me ligj për të nxjerrë akte nënligjore, siç specifikohet në paragrafin 2 të këtij neni, nuk mund t’ia delegojë kompetencën e tij një organi tjetër.
Neni 119
edit- Rregulloret e Këshillit të Ministrave, të ministrive e të institucioneve të tjera qendrore, si dhe urdhrat e Kryeministrit, të ministrave e të drejtuesve të institucioneve qendrore kanë karakter të brendshëm dhe janë të detyrueshme vetëm për njësitë administrative që varen prej tyre.
- Këto akte nxirren në bazë të ligjit dhe nuk mund të shërbejnë si bazë për të marrë vendime në lidhje me individët dhe subjektet e tjera.
- Rregulloret dhe urdhrat nxirren në bazë dhe për zbatim të akteve që kanë fuqi juridike të përgjithshme.
Neni 120
edit- Parimet dhe procedurat për nxjerrjen e akteve juridike vendore parashikohen me ligj.
Kreu II [Marrëveshjet Ndërkombëtare]
editNeni 121
edit- Ratifikimi dhe denoncimi i marrëveshjeve ndërkombëtare nga Republika e Shqipërisë bëhet me ligj në rastet kur ato kanë të bëjnë me:
- territorin, paqen, aleancat, çështjet politike dhe ushtarake
- të drejtat dhe liritë e njeriut, si edhe detyrimet e shtetasve, siç parashikohen në Kushtetutë;
- anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në organizatat ndërkombëtare;
- marrjen përsipër të detyrimeve financiare nga Republika e Shqipërisë;
- miratimin, ndryshimin, plotësimin ose shfuqizimin e ligjeve.
- Kuvendi, me shumicën e të gjithë anëtarëve, mund të ratifikojë edhe marrëveshje të tjera ndërkombëtare që nuk parashikohen në paragrafin 1 të këtij neni.
- Kryeministri e njofton Kuvendin sa herë që Këshilli i Ministrave nënshkruan një marrëveshje ndërkombëtare që nuk ratifikohet me ligj.
- Parimet dhe procedurat për ratifikimin dhe denoncimin e marrëveshjeve ndërkombëtare parashikohen me ligj.
Neni 122
edit- Çdo marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar përbën pjesë të sistemit të brendshëm juridik pasi botohet në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë. Ajo zbatohet në mënyrë të drejtpërdrejtë, përveç rasteve kur nuk është e vetëzbatueshme dhe zbatimi i saj kërkon nxjerrjen e një ligji. Ndryshimi, plotësimi dhe shfuqizimi i ligjeve të miratuara me shumicën e të gjithë anëtarëve të Kuvendit për efekt të ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare bëhet me të njëjtën shumicë.
- Një marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar me ligj ka epërsi mbi ligjet e vendit që nuk pajtohen me të.
- Normat e nxjerra prej një organizate ndërkombëtare kanë epërsi, në rast konflikti, mbi të drejtën e vendit, kur në marrëveshjen e ratifikuar nga Republika e Shqipërisë për pjesëmarrjen në atë organizatë, parashikohet shprehimisht zbatimi i drejtpërdrejtë i normave të nxjerra prej asaj.
Neni 123
edit- Republika e Shqipërisë, në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare, u delegon organizatave ndërkombëtare kompetenca shtetërore për çështje të caktuara.
- Ligji me të cilin ratifikohet një marrëveshje ndërkombëtare, siç parashikohet në paragrafin 1 të këtij neni, miratohet me shumicën e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
- Kuvendi mund të vendosë që ratifikimi i një marrëveshjeje të tillë të bëhet me referendum.