Letërsia Shqiptare

Ky material duhet bartur tek Wikipedia


Në fillimet e letërsisë shqiptare janë veprat e Marin Barletit ("Historia e Skënder-beut", 1508) dhe të humanistëve të tjerë, të botuara latinisht. Libri i parë shqip është "Me-shari" (1555) i Gjon Buzukut. Letërsia e vjetër përfaqësohet nga vepra fetare, por që ishin shpre-hje e qëndresës kundër sundimit osman. Autorët më të rëndësishëm ishin Pjetër Budi , Frang Bardhi , Pjetër Bogdani dhe te arbëreshët e Italisë Lekë Matrënga e Jul Variboba. Në shek. XVIII-XIX lindi rryma e bejtexhinjve, e ndikuar nga i letërsia orientale, por në veprat e poetëve më të shquar kishte edhe tema laike e nota shoqërore (Hasan Zyko Kamberi, Nezim Frakulla, Zenel Bastari etj).

Letërsia e re kombëtare nis afër mesit të shek. XIX lidhur me lëvizjen e gjerë për glirimin nga sundimi I huaj dhe prandaj quhet letërsia e Rilindjes Kombëtare. Ajo pati një drejtim iluminist e në periudhën e fundit edhe vepra realiste, por në të mbisundoi romantizmi, bashkëkohës me romantizmin europian. U lëvrua sidomos poezia. Kjo ishte një letërsi me frymë demokratike e popullore, tema themelore ishte dashuria por atdheun, evokimi i të kaluarës heroike dhe lufta për çlirim kombëtar e shoqëror. Te arbëreshët e Italisë u shquan Jeronim De Rada me poemën "Këngët e Milosaos" (1836) e një varg veprash të mëdha poetike, Gavril Dara i Riu me poemën "Kënga e Sprasme e Balës", Françesk Anton Santori, Zef Serembe etj. Poeti i madh kombëtar i kësaj periudhe është Naim Frashëri, autor i poemës "Bagëti e Bujqësia" (1886), i "Historisë së Skënderbeut" në vargje dhe i shumë krijimeve të tjera patriotike, lirike e filozofike. Figura të tjera të shquara janë poeti lirik e satirik Andon Zako Çajupi ("Baba Tomori", 1902), poetët Ndre Mjeda, Aleksandër Stavër Drenova (Asdreni), novelisti Mihal Grameno etj. Pas shpalljes së Pavarësisëi (1912) letërsia e zhvilloi më tej frymën atdhetare të Rilindjes Kombëtare dhe në vitet 20-30 thellohet realismi, karakteri demokratik, problematika shoqërore. Përfaqësues i shquar i rrymës demo-kratike është Fan Noli, figurë politike por edhe poet, publicist e përkthyes. Lirik i njohur i kohës është Lasgush Poradeci. Nga ana tjetër një figurë qendrore e letërsisë dhe e publiçistikës ishte At Gjergj Fishta. Ndër prozatorët janë romancierët Ndoc Nikaj, Foqion Postoli dhe Haki Stërmilli. Kulmin e realizmit kritik, me pasqyrimin e gjendjes së masave më të varfëra dhe me theks të fortë të revoltës shoqërore e shënon krijimtaria në poezi dhe në prozë e Migjenit ("Vargjet e lira", 1935). Faik Konica ndërkohë ishte një kritik letrar me veprimtari shumë të zgjeruar publiçistike që ndikoi jo pak në këtë letërsi. Një etapë cilësisht e re në letërsinë shqiptare zë fill në vitet e Luftës ANÇ dhe mori zhvillim të plotë pas Çlirimit si letërsi e realizmit socialist. Në shtypin ilegal, si shprehje e qëndresës antifashiste, u lëvrua një letërsi revolucionare, kryesisht poezia qytetare e patriotike. Poema satirike "Epopeja e Ballit Kombëtar" (1944) e Shefqet Musarajt është krijimi më i shquar i kësaj kohe. Pas Çlirimit pothuajse e tërë letërsia ishte e kontrolluar nga çensura e shtetit. Hapësirat në cilat shtrihej letërsia e asaj kohe ishin të ngushta dhe plot rezik për autorët. Shumë prej tyre si Kasem Trebeshina , Dhimitër Xhuvani , Petro Marko e të tjerë u dënuan nga Partia në fuqi. Shkrimtarë të tjerë si Ismail Kadare , Jakov Xoxa e plot të tjerë shkruanin të vertetat e tyre të fshehura pas një sensi të dyzuar. Megjithatë edhe gjatë periudhës së Socializmit lindi dhe u zhvillua një letërsi e mirëfilltë e cila edhe pse nën çensurë, krijoi dhe u konfirmua. Në vitet e fundit të agonisë socialiste edhe letërsia filloi të shfaqej më hapur dhe të mbante një qëndrim kritik herë hapur e herë të nënkuptuar. Pas diktaturës letërsia shqiptare pati njëfarë mpirjeje. Brezi i ri i shkrimtarëve solli një frymë të re realiste sidomos në poezi. Liria në shkrim solli një dyndje veprash letrare, por vetëm pak prej tyre ishin të një niveli të pëlqyeshëm. Peshën më të madhe e mbajtën akoma shkrimtarët e periudhës së Pas Luftës. Shkrimtarë si Diana Çuli , Besnik Mustafaj , Besnik Mustafaj , e plotë të tjerë vezulluan në këtë periudhë. Në poezi u shquan Mimoza Ahmeti dhe ndër më të rinjtë Etvin Hatibi dhe Majlinda Nana Rama. Vlen të përmendet që periudha e Post Diktaturës pati vlera të veçanta sidomos përsa i përket ribotimit të veprave që çensura komuniste i kishte ndaluar apo i kishte cunguar. U botuan të plota veprat e rilindësve Gjergj Fishta , Faik Konicës , Lasgush Poradecit , Mitrush Kutelit etj. U botuan veprat e ndaluara dhe të dënuara gjatë sundimit komunist të shkrimtarëve Petro Marko , Pjetër Arbnori , Fatos Lubonja , Kasëm Trebeshina , Dhimitër Xhuvani , Visar Zhiti e shumë të tjerë.

Letërsia në periudha historike

edit