Liria
by Ndre Mjeda
292006LiriaNdre Mjeda

I
O shqipe, o zogjt’ e maleve, kallzoni:
A shndrit rreze lirie n’ato maja;
mbi bjesh’ t’thepisuna e n’ograja,
ku del gurra e gjëmon përmallshëm kroni?

A keni ndie ndikund, kah fluturoni
ndër shkrepa, me ushtue kangën e saj?
A keni ndie nji kangë të patravajë?
O shqipe, o zogjt’ e maleve, kallzoni!

“Lirim, lirim!” — bërtet gjithkah malsia.
A ka lirim ky dhé që na shkel kamba,
a veç t’mjerin e mblon anemban’ robnia?
Flutro shqipe, flutro kah çelet lama,
sielliu maleve përreth që ka Shqipnia,
e vështroje ku i del lirimit ama.
……………………………

VI
Por nuk u shuejt edhe, jo, shqiptaria:
Lodhun prej hekrash që mizori e njiti,
lodhun prej terri ku robnimi e qiti,
shpreson me e zgjue fluturim mënia.

E kqyre: Ndër male po përhapet shkëndija
e lirimit t’Atdheut; fshehtas shëtiti
kasoll’ për kasoll’ rreth buneve e soditi
frymë të re tue zbrazun për gjithkah, hija

e Skanderbegut. Që ndër djepa rritin
nanat e Hotit djelmënin’ ushtore
e idhnim n’armikun nëpër gji iu qitin.

E nalt, ndër maja, bukuri mbretnore.


Public domain
This work is in the public domain in countries where the copyright term is the author's life plus 70 years or less. See Copyright.