Në dashtë Zoti
by Naim Frashëri
320682Në dashtë ZotiNaim Frashëri

Nastradini ish qetuar
Dhe po rrij duke mejtuar;
Po përnjëherë u zgjua,
Së shoqes i tha: "O grua,
Nesërë jam për në veshtë,
Se s'kam vatur këtë vjeshtë,
Sindëkur vinja qëmoti."
Plaka tha : "Në dashtë zoti."
Nastradini i tha : "Unë
S'e këllas zotnë në punë,
E shoh vetë punën time,
E nuk e vë nër mundime,
Që të doj' a të mos dojë,
Se nukë më flet me gojë."
Kështu the, o jetëgjatë!
Papo u ngrite me natë,
More shportat e gomarë,
Po s'të vate udha mbarë!
Për rrush del njeriu i mjerë
E sjell shkarpa shumë herë.
Gjithë bota po punonin
E udhëtë po ndrejtonin.
Nastradinë kur e panë,
E zun' e më nuk e lanë:
Gjithë ditën gur' i gjori
Mbajti edhe pagë s'mori.
I këputur, i drobitur,
I lodhur, i kahënitur,
Natën në t'errët u kthye,
Me pluhurë mbi qyrdye!
Erth më der' e trokëlliti,
E shoqja nga shkalla zbriti,
Tha : "Kush ësht' aty më derë?"
Pa tha Nastradin' i mjerë:
"Në dashtë zoti, jam unë,
Që vajç' e s'bëra dot punë!"
Pa më nesëret një fqinjë,
Q'ish i varfër e pa linjë,
Erth e i kërkoi gomarrë,
Duke thënë ca më parë:
"Jemi pa buk' e pa ngrënë,
Në mulli drithë kam shpënë,
Gjer më tani është bluar,
Po s'kam kafsh', o i uruar."
Nastradini, pa mejtuar,
Tha : "Për dru e kam dërguar,
Ka vaturë që me natë,
I varfëri veshgjatë."
Ajy tha "e kam dërguar",
Gomari palli në quar!
Fqinja tha : "Pse më gënjeni,
Të drejtënë s'ma rrëfeni?
Ja se ku pëllet gomari,
Qysh e ka marë druvari!"
Nastradini tha : "S'kam parë
Kshu, të besojnë gomarë!
Me fjalën time s'je nginjur,
Që jam sot plak e i thinjur,
Po dëgjon gomarrë ç'thotë,
Q'është pa mënt e flet kotë.
Njeriu që dëgjon gomarrë,
S'e ka punën mbroth e mbarë."
Kështu tha, po të vërtetën
E thosh gomari, të shkretën.


This work was published before January 1, 1929, and is in the public domain worldwide because the author died at least 100 years ago.