Njeriu dhe Fytyr' e vet

Njeriu dhe Fytyr' e vet
by Andon Zako Çajupi
320669Njeriu dhe Fytyr' e vetAndon Zako Çajupi

Një njeri pa mënd në kokë,
mburrej e lëvdohej vetë,
pandehte me të vërtetë
q'ish i bukur e s'kish shokë,
ndaj ishte shum' i gëzuar.
Vërtet pasqyra s'kishte mëshirë
ta tregonte të shëmtuar.
Po thosh: pasqyra nuk' është e mirë.
Nga kjo lajthitje që ta kërrejnë
dhe të duket e vërteta,
gjithë pasqyrat e shkreta
kur i shikon, e rrëfejnë
me një fytyrë
shumë të ndyrë.
Që të mos shohë kurrë pasqyrë,
ç'punoi miku?
U ngre dhe iku
lark, ndëpër ara
Për fat të keq, sheh përpara
një liqen të pashënuar,
me ujë fort të kulluar.
Ndë këta ujë kur u shikua
u zemërua,
se prap ju duk fytyra
si te pasqyra,
Domethënë, me një fjalë,
kjo përrallë
Eshtë bërë
për të tërë:
për veten tonë, të gjithë ç'jemi
këtë mendje kemi.
Gjithë njerztë faje kanë,
për ne si pasqyrë janë:
ky njeriu
faqeziu
që qesh o mburr vetëhenë,
është shpirti ynë vetë,
Sa për liqenë
ndë vënd të shkretë,
me ujëkulluar,
tregon librat që ke shkruar.


Public domain
This work is in the public domain in countries where the copyright term is the author's life plus 70 years or less. See Copyright.