Vajtim mbi varrin e Naim Frashërit

VAJTIM MBI VARRIN E TË NDJERIT VJERSHËTOR NAIM FRASHËRIT
nga Josif Bageri



Heshtje! Heshtje mbi ty o Natyrë,
Se ay që ty shumë të lavdëronte,
Ra si fill bari mbi kosën e vdekjes ndyrë.
Dhe lyra e tij që kurrë nuk pushonte,
Po këndonte bukurinë tënde që ke,...
Sot mbetet e ve!

Po vdes dhe shuhet kandil’i jetës ’tija!

Lulja q’e këndonte sot, e venitur bie,
Mbi fytyrën e verdhë; dhe vetëm shkëndija,
E yllit tij që ndritte një shkëlqim i shtie!
Mbi varr’e ftohtë, ku trupin e ti le
Ta hajë i zi dhe.

Të tëra ju fusha dhe ju male t’lartë

Bashkë që të gjithë zini sot me qa,
Vjershëtor’n e urtë që si lul’e thatë
Përmbi dhe ka rënë dhe jetë më ska!
Qani! Qani gjithë! Qani me vajtim
Se shkon pa gëzim! Shkon!

Shkon dhe ikën ku fati e shpie,
Veç një lamtumirë për jetë ne na le,
Me buzën e dredhur që sot s’i ka hie,
Se nuk ësht’e qeshur si që ishte dje!
Ikën dhe më s’kthehet, ndahet fare nesh,
Buza më si qesh!
Ah, nuk i qesh buza, si q’i qeshte një here,
Po fort të helmuar duket që ta ketë,
Se dëshirën që kish për Mëmëdhen’ e mjerë,
S’mundi ta mbarojë sa që kishte jetë!