Wikisource:Autorët/Naim Frashëri/Parajsa dhe fjala fluturake
Pjesa e parë
editO vëllezrë shqipëtarë! Pa të zëm' udhën e mbarë, T'i bijem pas urtësisë Dhe dritës e diturisë, Të mos rrimë n'errësirë, Se nuk është pun' e mirë. Neve që qemë njëherë Në gjithë botët të ndjerë, Dhe të par' e të lëvduar, E të rënd' e të dëgjuar, Trima të fort e të mirë, Të rrimë sot n'errësirë.
Ishin trima prindit tanë, Pa emrë përjetë lanë. Aleksandr'i Math i ndjerë Dhe shumë shokë të tjerë, Q'ishinë me të të parë, Qenë gjithë shqipëtarë. Muntnë së pari Greqinë, Pasdaj muntnë dhe Persinë. Zunë dhe Hind e Afrikë Burratë trima pa frikë. Faqen e dheut e fituan, Më çdo anë mbretëruan. Selefqinjtë, Ptolemenjtë, Gjithë ç'qenë të mbëdhenjtë, S'qen' as grekrë as bullgarë, Ishin burra shqipëtarë. Kombinë tën e nderuan Dhe Evropën e shpëtuan Nga kurt' i zi i Persisë, Dh'i dhanë nder Shqipërisë. Pirrua romanët mundi E gjithë jetën e tundi. Kostandin'i Math, q'i thonë, Dh'ajy ish nga fara jonë. Gjithë njerëzit e mbarë, Thua, qenë shqipëtarë. Shqipëtari ka lëftuar, Dhe ajy ka mbretëruar. Aleksandr' i Math Greqinë E kishte bërë të tinë, Me luft' e kishin marë Prindit tanë kordhëtarë, Pa në Thivë njerës lanë, Thivasit u ngren' i vranë, I vranë me të pabesë, Pas zakonit të Moresë. Shqipëtarët kordhëtarë Thivësë i vunë zjarrë! S'i kursyenë gjë zjarit, Vetëm shtëpin' e Pindarit, Se ish vjershëtor i ndjerë Dhe i parë mi të tjerë. Shqipëtarët pas Greqisë Iu lëshuanë Asisë, Njeri kurrë nuk i mundi, As u qëndroi dot gjëkundi, Gjithë përpara i vunë, Faqen e dheut gjith' e zunë. Burr' i math i Shqipërisë Ndënji në fron të Persisë, E arratisnë Daranë, Njerëzit e ti e vranë! Aleksandri dha lirinë, E shpëtoi nga zgjedh' Asinë, I dha nder dhe Shqipërisë, Mëmës së ti, q'i dha sisë, Përkujdesi njerëzinë Dhe pruri qytetërinë, Bëri udhë e qytetë, Pru gëzim në gjithë jetë Edhe sot Aleksandria Na rrëfen punët e tija. Evropën e ka shpëtuar Nga një zgjedh e mallëkuar. Këto punë shqipëtarët I bënë, ata të parët, Ata të parëtë tanë, Edhe emërë na lanë. Edhe Pirroja ish burrë, Që s'ka pasur shokë kurrë. Ay romasit i mundi, Italinë tër' e tundi; Tekdo që kishte lëftuar, Botën e kish tëmerruar. Kështu edhe shumë të tjerë Shqipëtar' ishin të ndjerë. Ishte mëm' e trimërisë Edh' e zonj' e urtësisë Shqipëria kurdoherë, Që nxirte burra të vlerë. Trima burra të vërtetë Sa kanë qënë në jetë Të gjithë ajo i polli, Trimëria soje dolli. Qe dhe një koh' e një ditë, Që polli dhe perënditë, I pat pjellë Shqipëria, Pa u falej njerëzia, Dhe besoninë qëmoti Që në Shqipëri rrij zoti, Vij rremet i njerëzisë, E i falej Shqipërisë. Tomori nuk ësht' i pakë, Që nxjer dhe sot zë pa flakë, Se rrininë perënditë Ndë atë natë e ditë! Prindit tanë i besonin Perëndit' e s'i mërgonin. Perëndi e trimërisë Ishte mëm' e Shqipërisë. Shqipëtari trim me fletë Rronte gjithënjë në jetë, Shigjet' e ti vrëngëllinte, Vdekjenë me vet' e shpinte! Perëndi e bukurisë Me shijët të gjithësisë, Q'ësht' e bardhë si dëborë Nuk e lij kurrë Tomorë, Flinte në shtratthit të artë Shtat' i bardhë posi kartë. Leshërat i kish të arta Edhe faqezët të zjarta, Ballë, gushë, krahëruar, Llërë, pulpë, këmbë, duar, Prej drite ishinë bërë, Sikundër dhe trup' i tërë. Si dëbor' e kishte gjinë, Pa sill nër mënt bukurinë! Kur kthehej e të shikonte, Zëmrënë ta përvëlonte. Zën' e kishte si bilbili, Faqetë si trëndafili, Diellin e urdhëronte, Në gjit të saj perëndonte, Në shtratthit të saj e vinte, Edh' e mbant' e nuk e linte, Tërë natën e pushtonte, Pa në mëngjest e lëshonte. Hëna këto duke parë, Dhe duke tretur e tharë, Ligej fort shum' e drobitej, Kahënitej e venitej, Se i haj zëmrën nakari, Që djek i shkreti si zjarri. Perëndi e bukurisë, Q'i ip dritë njerëzisë, Nga gjir' i saj dritë qitte, Hënënë e përsëritte, I ip pjesë bukurie Edhe shij' e drit' e hije.
Pjesa e dytë
editDhe fqinjët e Shqipërisë, Armikët e perëndisë, Kshu treteshin nga nakari, se ish burrë shqipëtari. Sa mbretërë të dëgjuar, Në Shqipëri të uruar, Sa burra të fort' e trima, Me vështrim si vetëtima, Kan' ardhur e kanë shkuar, Dh' emri s'u është haruar! Me ta bashk' ish trimëria, Dhe me ta ish urtësia, Të dyj' ato mbretëronin, Mëmëdhen' e lulëzonin, Ish parrajsë Shqipëria, Se ishte gjall mirësia. Bukuri e perëndisë, Perëndi e bukurisë, Këmbergjëntë, leshflorinjtë, Duke mbledhurë pëqinjtë, Në Shqipëri tekdo shkelte, Bari mbint' e gjethi çelte, Dhe luletë lulëzonin, E bilbilëtë këndonin. Ajo dhe në re qëndronte, Edhe nd'erë fluturonte, Tekdo vij, ip bukurinë, E përndante mirësinë. Bëheshin mollëtë ftonjtë, Portokaletë, lemonjtë, Manatë, rrushtë, qershitë, Fiqtë, arratë, lajthitë, Pjeshka, thana, vadhja, shega, Ulliri me shumë dega, Gruri, misëri, peceli, Elbi, tërshëra e meli. Ish i veshur vëndi gjithë, Dhe pill shumë pem' e drithë, Drur'i dardhësë me dardhë Ish si zonja sisëbardhë. Nër fushatë luleshumë Lumënj vrapmëdhenj pa gjumë Shkoninë duke kënduar Me kanisk të math nër duar. Ata mëmë kanë renë, E ajo ka atë denë. Dheu, kafshëtë, bagëtia, Shpestë, gjithë njerëzia, Pin' ujët e tyr' e prehen, Dhe bimërat pa të s'bëhen. Tek shkonte lum' i uruar, Q'ishte si ar i kulluar, Kafshëtë dhe bagëtia, Lëçinin si mizëria. Edhe grat' e Shqipërisë Gjithë me foshnjë në sisë, Sicila ish mbretëreshë Dh'e bukur si pëllumbeshë S'shihnje një gjë të shëmtuar Dhe pa gas e të helmuar. Edhe vashëzë mes'hollë I kuqte faqja si mollë, Dorën q'e kish pej ergjëndi, S'e hiqte nga avlëmëndi, Gjithë ç'i duhej në jetë, I bënte të tëra vetë. Në viset të Shqipërisë S'kish gjë përveç mirësisë, Moskamja dhe varfëria E të tjera të këqija? Kurrë në Shqipëri s'ishin, Mase dhe emërë s'kishin. S'kish as kurva as kurvarë, as të liq kish as kusarë, Gjithëkush vetë punonte, E njeri nukë përtonte; Sicili fort mirë shkonte, Haj, pij dhe tepëronte; Këto me djers' i fitonin, Më shumë nukë kërkonin, Se kish duk nga perëndia Dhe uratë Shqipëria. Ish shumë trim shqipëtari Dhe i bukur si fill ari, Si burratë edhe gratë Ishinë trime me shpatë, Ish ligë vëllazëria, Edhe besë miqësia. Shqipëria gjithë nderë Kisht' e ishte shum' e ndjerë. Shqipëtari ish i mirë, Dhe kish emër të pavdirë. Shqipëria shum' e vlerë Ish e madh' e gjat' e gjerë, Se ahere s'ishin shqehtë, As maxharëtë, as vllehtë, Ishin gjithë shqipëtarë Në atë kohët të parë, Qeltëtë kishinë fqinjë, Q'ishinë brinjë për brinjë. Ishte një tjatrë jetë, Shi t'artë shtininë retë, Ish një ver' e gjithënjëshme E një kohë shum' e bëshme, Dhe në dimërë vërritë, Që mbaninë bagëtitë, Ishinë plot manushaqe, Dheu kish bukuri mi faqe.
Shqipëtar' ish i vërtetë, Trim i bukur e i qetë, Fjalënë që ip, s'e kthente E s'doj kurrë të gënjente. Të miratë gjithë ç'janë I kishin prinditë tanë. Bima pillte kallinj tetë, Nëntë, dhetë, dymbëdhetë. Të tërë dhenë ta rrihnje, Plak të kërrusurë s'shihnje, Veç kalliri unjte kokë, Nukë dilte përmi shokë.
Vasha fill e vetëm shkonte, Njeri kurrë s'e shikonte, Në flori ngarkuar shkonje, Gjësendi nukë pësonje. Kish ahere Shqipëria Gjithë ç'kërkon njerëzia, Zot'i math e kish uruar, Pa ishte fatbardhësuar, Kishtej njerës të vërtetë, Trima burra pa të metë, Kish kamjen' e dashurinë, Mirësin' e urtësinë, Ish e tërë një fëmijë, At' e mëm' e bir e bijë, Kish bulmet e pem' e drithë, Edhe të miratë gjithë. Mijëra vjet kështu shkuan, Shqipëtarëtë s'u ndryshuan, Patnë gjith' ato që duhen, Kishinë nder' e lirinë, Pa dhe gjithë mirësinë, Se njeriu e njerëzia Ushqehenë nga liria. Njeriu lindi i liruar, Pasdaj e kanë penguar.
Pjesa e tretë
editGjithë botënë romanët E vunë poshtë, veç tanët U pren' udhën' e s'i lanë, Pa shumë lufëtra ngjanë. U mbyt në gjak Shqipëria, Po rop s'u bë njerëzia, Nuk' u bë rop shqipëtari, Po qëndroi si ish së pari! Dha shpirtin e gjakn' e derdhi, Në zgjedhë si kau s'erdhi, Mbroi nder' e Shqipërisë Dhe sendrën' e njerëzisë! Mbajti lirin' e ra vetë, Trimërinë s'e la shkretë. Pa kur erdhë egërsirat Me të gjitha të pahirat, Si hynë, shqeh e të tjerë, Duke vrar' e duke prerë, Të gjithë kombet' i zunë Dhe në kurt të keq i shtunë, Njeri përpara s'u dilte, Gjithëkush udhën' u çilte. Vetëm prindit trima tanë "Gjer aty, barbar'!" u thanë. Dhe kur erdhë nga Asia Të shumë si mizëria Turqitë, q'ishinë trima Dhe binin si vetëtima, Pa më thoni kush lëftonte Edhe gjësendi s'pësonte? Vall' elinët a bullgarët! Apo neve shqipëtarët? Njeri tjatërë s'kuxonte, Veç shqipëtari lëftonte! Ajy prap' e ka shpëtuar Evropënë e verbuar. Kush nuk e di Skënderbenë, Që nderojti mëmëdhenë? "Lum ti, moj Shqipëri!" thashë, Armët e ti' kur i pashë Ndë Belvedere në Vjenë, Sikur pashë Skënderbenë. Dhe sot nga armët e tija Kullon fjeshtë trimëria! E di njerëzi e tërë Atë zot ç'punë ka bërë Kur hiqte Skënderbeu shpatë, Trimavet u ipte datë! Burra të veshur në hekur Dhe luftëtarë të pjekur, Q'ishin në luftë kaluar Përmi kuaj të harbuar, Kur hiq me kordhët të prehtë, Q'ishte si pëndëz e lehtë, Posi pjepërin i priste, Në vdekje pa ndjer' i klliste, Njerin' e kalën e çante, Të dy më katër i ndante. Mirësin' e trimërinë, Dhe mëndjen, e urtësinë T'ati zoti njeri kurrë S'e ka pasur nonjë burrë. Vet' ajy burr' e trim ishte, Edhe shokëtë që kishte, Si Tanushi me Uranë, E Moisiu me Hamzanë, Si Maneshi e Muzaka, Që hidheshin posi flaka, E si Lekë Dukagjini, Si Perllati, si Mardini, Zënëbisha, Araniti, Gjon Koka, q'ish si hastriti, Kont, prens, mbretër e të tjerë, Burra të vler' e të ndjerë. Qenë trima të vërtetë, Nuk u bënë rop në jetë. Opopo! ç'kanë lëftuar, E ç'punë kanë punuar! Sa mbretër e prensër qenë, Njohnë të math Skënderbenë, Zun' udhën e urtësisë, Ishinë lark marrëzisë, Për Shqipërinë lëftonin, Madhëritë nuk' i donin, Po kishin vëllazërinë, S'e qasninë djallëzinë, Pa lan'emërë përjetë, Zotërinjtë e vërtetë, Veç Shqipërinë mejtonin, Të tjeratë i harronin, S'kishin ata thashetheme, Të këqija e të rreme, Donin gjithë mëmëdhenë Dhe kombin' e Skënderbenë, Kush i rrij kundrejt Tyrqisë, Veç burrat' e Shqipërisë, As Sërbij' as Bullgaria, As Elladha as Vllahia, As Venetia qëndronte, As tjatërë komp kuxonte. Evropa ishte e shuar, Njerëzit të mallëkuar, Kishin vdekurë nga frika, Nga Turqit' u binte pika, U trëmpnë gjithë me radhë, Dhe Vlladisla me Uniadhë, Si gjithë këta të rinjtë, Dhe papa e vyzandinjtë Më një ditë Konstandinë Turqit' e zunë dh'e pshinë, Kostandinopoj' e ndjerë S'u mbajt, po ra menjëherë. Grekërit' ishin të vdekur, S'hanin dot barut e hekur, Le të mbahen me lëvdatë Grekërëtë posi gratë, Me fjal' e me thashetheme, Janë të gjitha të rreme. Kishte vdekur njerëzia, Rronte vetëm Shqipëria, Veç shqiptari lëftonte, Njeri tjatërë s'kuxonte. Kordhëtar tjatërë s'gjenë, Turqitë, veç Skënderbenë. Skënderbeu me të parët, Me të gjithë shqipëtarët, I qëndruanë Turqisë, I dhanë nder Shqipërisë, Ata duall' e lëftuan, Gjith' Evropën' e shpëtuan. Te Skënderbeu kishte shpresë Aher' Evrop' e pabesë. Rrëfe, o mal' i Sopotit! Edhe ti, Tomor'i zotit! Me oshëtimë tregoni, E me vetëtimë thoni, Dhe ti, fortes' e Beratit! E ju, bregoret' e Matit! Folë, fol' o Drin'i shkretë! Q'i ke parë me sy vetë Të tër' ato ligjërime I mer vesh zëmëra ime. Këto gjithë po i dimë, Më tëhu tani të vimë. Pas Skënderbeut Shqipëria Nukë ra në të këqija, Se në kurt' kurrë s'ka rënë, Poshtë njeri s'e ka vënë, Se shqipëtari ish burrë, Nënë zgjedhë s'hyri kurrë.
Nder' e vjeftënë e mbajti, Dhe sedrënë nuk e ndajti, Nuk e harroi mëmëdhenë Dhe lirin' e Skënderbenë, I huaj në vëndit tënë S'shkelte dot, se nuk ish thënë Retë muntte të përpinte, Në Shqipëri s'munt të vinte; Fill e vetëm shqipëtari Udhëtonte si m'i pari, Me mbledhët të pleqësisë Shihej pun' e Shqipërisë Ligë kishin të vërtetën, Që sbukuron gjithë jetën, Kishin udhë urtësinë, Besë kishin njerëzinë, Udhërëfenjës e dritë Kishin gjithë mirësitë. Gjithë sa qenë të parë Dhe me mënt e kordhëtarë, Q'i dhanë jetë Turqisë E nder të math Shqipërisë, Të tër' ishin shqipëtarë Sa bënë punë të mbarë, Si Qyprilit' e të tjerë Burra me emr' e të ndjerë. Shqipëtari mbretëronte, Ajy lëftont' e gjykonte.
Pjesa e katërt
editShqipëria ishte zonjë E kishte të madhe pronjë, Shqipëria kurdoherë Ka nxjerrë trima të vlerë, Mehmet Alin', Ibrahimnë, Gjikënë, Gjolekë trimnë, Rrapon e Ali Pashanë, Silahdarë e Shkodranë E shumë njerës të tjerë, Si këta dhe më të ndjerë. Ishte vash' e Shqipërisë Ajo zonj' e urtësisë, Dora Distra nga Përmeti, Q'ish në diturit si deti. Gjithë gravet u ka dhënë Nder dhe mëmëdheut tënë. E kush e bëri Morenë? Gjithë shqipëtarë qenë. S'ish shqipëtar Marko Suli? Xhavella e Miauli? Bubulina e Kanari? Shqipëtar bir shqipëtari. Me armët të Shqipërisë Iu hoth themeli Greqisë, Po grekërët e pabesë, Që iu bënë zot Moresë, S'e duanë shqipëtarë, Kërkojnë t'i bëjnë varrë! Po kush bën në këtë jetë Varr' e shokut, bije vetë. Nukë trëmbet shqipëtari Nga greku e nga bullgari, Nga Mal'i Zi, nga Sërbia Nukë trëmbet Shqipëria. S'trëmbet kurrë shqipëtari, Dhe sot ësht' ajy i pari, Bota gjith' e kanë parë Në luftëra shqipëtarë, Plevna, Shipka s'u harua, Koha shumë s'u mërgua. Neve muntmë venetjanët Dhe barbarët e romanët, Turqinë edhe Persinë, Afrikënë e Hindinë.
Gjithë njerëzit e dinë Kush e bashkoi Italinë. Cilët për vdekj' e për kokë Garibaldi kishte shokë? Shqipëtar ishin të tërë, Ata punë kanë bërë. Edhe sot lul' e Turqisë Janë djemt' e Shqipërisë, Njerës t'urt' e të vërtetë, Të ditur e pa të metë. Edhe sot është i zoti Shqipëtari si qëmoti, Çdo punë që ka punuar, Kurdo e ka trashëguar. Këto të vërteta janë, E të rrema brënda s'kanë Njeriu po të mësonjë, Këto do t'i kupëtonjë. Eshtë fjalëz e vërtetë, Që tjatërë komp në jetë S'i arrin dot shqipëtarit, Burrit trim e punëmbarit. Ka nxjerrë e do të nxjerrë Shqipëria kurdoherë Burra t'urt'e të vërtetë, Ka pasur dhe do të ketë. I ka dhënë perëndia Gjithë ç'donte Shqipëria, Se e ka ngrehur përjetë Zot i math e i vërtetë. Shqipëria s'copëtohet, Kurrë nukëvarfërohet, Posi hëna përsëritet, Kurrë nukë kahënitet.
Gjithë ç'jemi shqipëtarë, Jemi një fis e një farë, Kemi të tërë një shpresë, Një gjak, një gjuhë, një besë, Besë kemi perëndinë Dhe ligë vëllazërinë, Jemi gjithë shqipëtarë, S'jemi të çar' e të ndarë, Jemi shtëpi e fëmijë, At' e mëm' e bir e bijë. Mëmë kemi Shqipërinë Edhe motër urtësinë, Kemi ndihmës trimërinë, Mëm' e atë perëndinë, Se asaj i prumë besë, Të gjith' atje kemi pjesë.
S'jemi as turq as kaurë, Mos e thoni këtë kurrë, S'jemi grekër as bullgarë, Jemi vetëm shqipëtarë Ky emërë na ep nderë, Pa s'na duhenë të tjerë, Kemi gjuhëzënë tënë, Zot'i math na e ka dhënë, Dhe komp e mëmëdhe kemi, Të humbur në jetë s'jemi. Ajy që s'do mëmëdhenë Dhe kombin e vetëhenë, Dhe gjuhënë që flet vetë, S'është njeri i vërtetë. Ata quhen tradhëtorë, Janë të mjer' e të gjorë, Faqezes e gënjeshtarë Dhe të paqën' e të marrë, E lenë mënjanë nderë E lipin derë më derë Ata janë posi berri Edhe të ndyrë si derri. Nder e vjeftë s'munt të ketë Njeriu i tillë në jetë. Gjithë ç'jemi shqipëtarë, Jemi një s'jemi të ndarë, Kët' emërë mjaft e kemi Dhe na ep nder kur e themi, Eshtë emr'i Skënderbeut, Emr'i gjithë mëmëdheut, Me kët' emrë të bekuar Tanëtë janë lëvduar. Selenik e tatëpjetë Ka qënë dhe do të jetë Vënd'i tër' i Shqipërisë Me ndihmët të perëndisë. O ju fqinjtë e pabesë! Mos bini me atë shpresë, Shqipëria s'copëtohet, Shqipëtari nukë ndrohet. Ju e njihni shqipëtarë, E kini parë më parë, Po mos delni nga kufitë Edhe lini marrëzitë. Që të kemi miqësinë Të gjithë dhe dashurinë, S'ka njeri të marrë pjesë, Për të zonë do të mbesë I zoti ë'shtë shqipëtari, Ajy që ka qën' i pari, S'ka njeri tjatërë pjesë, Pa nukë ka besa-besë. Shqipëria ka të zonë, Q'e ka pasur gjithëmonë, Me qënë gjall shqipëtari, Ç'kërkon greku dhe bullgari? Dhe Mal'i Zi e Serbia Ç'kërkojnë nga Shqipëria! Hiquni, o të pabesë! Se e zeza do t'u presë! Djemt' e Skënderbeut përjetë Janë burra të vërtetë, Ç'e pandehtë shqipëtarë? Të vdekur, q'i bëni varrë? S'e dini ç'u ka punuar? S'më ngjan t'i kini haruar. Kush ia ka me të pabesë Shqipërisë, do të vdesë, Do të vdes' e të humbasë, Nga nakari të pëlcasë, Shqipëria do të rronjë, Paskëtaj të mbretëronjë.
Në pastë ndër shqipëtarë Pakë grekër e bullgarë, Pakë shqipëtarë janë Vallë nëpër fqinjtë tanë? Ne duam vëllazërinë, Dashurin' e miqësinë,
Pa luftës s'i trëmbet kurrë, Shqipëtari është burrë. Edhe Evropa e tërë Sonte me ne është bërë, Se të drejtën ne e kemi, Ne të zott' e vëndit jemi.
Pjesa e pestë
editSot për sot Maqedhonia, Thesprotia, Mollosia, Dhardhania, Iliria, Paravea, Haonia Që u thoshinë qëmoti Bota, po s'u thosh i zoti, Bëjnë gjithë Shqipërinë, Edhe fqinjtë ton' e dinë. Tani, djemt' e mëmëdheut! O të bijt' e Skënderbeut! Ju, o vëllezër e shokë! Pa mblithni mënttë në kokë, Zgjohuni, o shqipëtarë, Se afëroi dit' e mbarë! Mos vini veshnë në botë, Si të dojë le të thotë. Gjithë ç'jemi shqipëtarë, Jemi një komp e një farë, Edh' e tërë Shqipëria Eshtë një si perëndia. Lereni mënjanë fenë, Të shikojmë mëmëdhenë, Të jemi miq në mest tënë Dhe shokë, si kemi qënë, Ta shtojmë vëllazërinë, Dashurin' e miqësinë.
Jemi djemt' e mëmëdheut Gjithë dhe të Skënderbeut, Sicili le të besonjë Sikundër të kupëtonjë, Po feja të mos na ndanjë, Në zgjedhë të mos na mbanjë. Përpiqi për vethet tuaj, Mos për bot' e për të huaj. Eshtë dit' e diturisë Sot e koh' e urtësisë S'bën dot punë marrëzia, Padija e foshnjëria, Poshtë ndarja e nakari, Qoftë lark nga shqipëtari, Rroftë bashkimi përjetë, Q'e fali zot'i vërtetë! Ta kemi vëllazërinë, Miqësin' e urtësinë, Një fjalë gjithë të themi E një dëshirë të kemi: Të nderojmë mëmëdhenë, Gjuhënë e vetëhenë, Shqipërinë ta shpëtojmë, Së gjithash ta lartësojmë Atë kemi gjithë mëmë, Në të huaj nuk' e lëmë Pa njeri të mos kuxonjë Ta pres' e ta copëtonjë. Shqipëri, o jetëgjatë! Ty të kemi mëm' e atë Dhe për ty do të lëftojmë, Gjersa të të trashëgojmë! Për ty gjithë, dit' e natë, Mejtohemi gjer' e gjatë. Ti kurrë s'prishesh, s'shkretohesh, As drobitesh, as pengohesh. Më ke gjithë bukuritë E të tëra mirësitë: Ke fusha me lule shumë, Lumënj të mbëdhenj pa gjumë, Male të lart' e të veshur, Buzën' e detit të qeshur; Gjithë gazë ta dha zoti, Ta ka falur që qëmoti; Më je dritëzë në dritë, Me të gjitha mirësitë. Për ty shumë do të thoshe, O Nuseja bukuroshe! Ti s'plake kurrë në jetë, Posi perëndia vetë! Vdekja edhe pleqëria, Shëmëtimi, dobëtia, Ty s'ta zënë dot pëqinë, Mësa zënë perëndinë! Ke pjell' aqë të vërtetë, Sa s'nëmërohen në jetë, Pa ke pjellë Skënderbenë E gjithë trimat sa qenë. Ke sot djem t'urt' e të mirë, Trima me shumë dëshirë. Nukë vdesin shqipëtarët, Janë vet'ata të parët. Dardha nënë dardhët bije, Dit' e sotme qe dhe dije, Nukë shuhet njerëzia, Vdes e ëma, rron e bija, Rron i biri, q'është vetë I ati që qe ndë jetë. Trëndafili, që ep er, Çeletë sërish në verë. Ju priftërë mjekër gjatë, Q'u quan kombi uratë, Uratë e perëndisë, Q'është drit' e gjithësisë, Munt të bëhi të pabesë Për të mirët të Moresë?
Harroni dot mëmëdhenë? E pse? Ç'e kemi Morenë? Krishti grek nukë ka qënë, Dhe besën ata s'e bënë. Dhe ju hoxh' e ju dervishë Mos shihni xhami e kishë, Si kisha ë'shtë dhe xhamia, Tekdo është perëndia, Pa të tërë njerëzinë Zot' i math e ka të tinë, Se përpara perëndisë Nj'është tuf' e njerëzisë Kush ka zëmrë të qëruar, Munt të jet' ajy m'i çquar, Se po vetëm urtësia N'afëron te perëndia. Ta doni keq perëndinë, Po bashkë me Shqipërinë. Shqipëri, të qofsha falë! Të kam mëm' e më ke djalë, Në gjit tënt ngrihem e bije, Ti ke fuqi perëndie, E mer në gjit bukurinë Dh'e nxjer prapë kur hap gjinë. Trëndafil' i kuq me palë, Që nga gjiri yt ka dalë, Është gjaku i një mbreti, Që prëhje ndë gjit tënt gjeti. Nga të mos nxjerç lule m'erë Ti, që këllet kurdoherë Ndë gji vetë bukurinë? Gjithë tek ti ven' e vinë. Parrajs' e vërtetë vetë Është Mëmëdheu në jetë.