Kushtetuta e Shqipërisë/Pjesa e katërmbëdhjetë
←Pjesa e trembëdhjetë | Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë Pjesa e katërmbëdhjetë (Kontrrolli i lartë i Shtetit) nga Komisioni Kushtetues i Republikës së Shqipërisë |
Pjesa e pesëmbëdhjetë→ |
Neni 162
edit- Kontrolli i Lartë i Shtetit është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar. Ai u nënshtrohet vetëm Kushtetutës dhe ligjeve.
- Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit zgjidhet dhe shkarkohet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës. Ai qëndron në detyrë për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje.
Neni 163
edit- Kontrolli i Lartë i Shtetit kontrollon:
- veprimtarinë ekonomike të institucioneve shtetërore e të personave të tjerë juridikë shtetërorë;
- përdorimin dhe mbrojtjen e fondeve shtetërore nga organet e pushtetit qendror dhe atij vendor;
- veprimtarinë ekonomike të personave juridikë, në të cilët shteti ka më shumë se gjysmën e pjesëve ose të aksioneve, ose kur huat, kreditë dhe detyrimet e tyre garantohen nga shteti.
Neni 164
edit- Kontrolli i Lartë i Shtetit i paraqet Kuvendit:
- raport për zbatimin e buxhetit të shtetit;
- mendim për raportin e Këshillit të Ministrave për shpenzimet e vitit të kaluar financiar para se të miratohet nga Kuvendi;
- informacion për rezultatet e kontrolleve sa herë që kërkohet nga Kuvendi.
- Kontrolli i Lartë i Shtetit i paraqet Kuvendit raportin vjetor të veprimtarisë së tij.
Neni 165
edit- Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit mund të ftohet të marrë pjesë dhe të flasë në mbledhjet e Këshillit të Ministrave, kur shqyrtohen çështje që lidhen me funksionet e tij.
- Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka imunitetin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë.