Kushtetuta e Shqipërisë/Pjesa e pesëmbëdhjetë

Pjesa e katërmbëdhjetë Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë
Pjesa e pesëmbëdhjetë (Forcat e Armatosura)
nga Komisioni Kushtetues i Republikës së Shqipërisë
Pjesa e gjashtëmbëdhjetë



Neni 166

edit
  1. Shtetasit shqiptarë kanë për detyrë të marrin pjesë në mbrojtjen e Republikës së Shqipërisë, siç parashikohet në ligj.
  2. Shtetasi që, për arsye ndërgjegjeje, nuk pranon shërbimin me armë në forcat e armatosura, është i detyruar të kryejë një shërbim alternativ, siç parashikohet në ligj.

Neni 167

edit
  1. Ushtarakët e shërbimit aktiv nuk mund të zgjidhen ose të emërohen në detyra të tjera shtetërore dhe as të marrin pjesë në parti ose në veprimtari politike.
  2. Pjesëtarët e forcave të armatosura ose personat që kryejnë shërbim alternativ, gëzojnë të gjitha të drejtat dhe liritë kushtetuese, përveç rasteve kur ligji parashikon ndryshe.

Neni 168

edit
  1. Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë përbëhen nga forcat tokësore, detare dhe ajrore.
  2. Presidenti i Republikës është Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura.
  3. Këshilli i Sigurimit Kombëtar është organ këshillimor i Presidentit të Republikës.

Neni 169

edit
  1. Presidenti i Republikës, në kohë paqeje, ushtron drejtimin e Forcave të Armatosura nëpërmjet Kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes.
  2. Presidenti i Republikës, në kohe lufte, emëron dhe shkarkon Komandantin e Forcave të Armatosura me propozim të Kryeministrit.
  3. Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, emëron dhe shkarkon Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, si dhe, me propozim të ministrit të Mbrojtjes, emëron dhe shkarkon komandantët e forcave tokësore, detare dhe ajrore.
  4. Kompetencat e Presidentit të Republikës si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe ato të Komandantit të Forcave të Armatosura dhe varësia e tyre nga organet kushtetuese, caktohen me ligj.